e shtunë, gusht 29, 2009

Dy ngrehina religjioze politike në Prishtinë - provokative e të dhunshme

Rrënojnë hapësira universitare e shkollore për të ngritur kisha e katedrala

Dy ngrehina religjioze politike - provokative e të dhunshme

Një kishë ortodokse e një katedralë përmasash piramidale në qytetin ku pothuajse nuk ka ortodoksë dhe ku jeton një pakicë krejtësisht e vogël katolikësh.
Të dyjat të ndërtuara pa asnjë procedurë ligjore, pa asnjë respekt prone të tjetërkujt, pa leje ndërtimi, krejtësisht dhunshëm dhe me paratë e atyre që kurrë nuk do t’u hyjnë në punë as njëra as tjetra.

Serbia millosheviqiane e pat ngritur kishën në hapësirat universitare, ndërkohë që katedralja po ngritet në vendin ku Prishtina kishte gjimnazin e famshëm të saj.
Paratë për ndërtimin e kishës ortodokse, Serbia i siguroi me plaçkitjen me dhunë dhe të reketit mujor nga të gjithë shqiptarët e besimit islam në Prishtinë.
Ndërkohë katedralja pokështu po ndërtohet me paratë e shqiptarëve muslimanë, të cilëve me këtë rast po u zhvasin paranë me dredhi e mashtrime...
Ndërtimi i kishës ortodokse ishte një provokacion serb. Me të Serbia donte të tregonte se e kujt është Kosova.

Katedrala në ndërtim pokështu është një provokacion i fundamentalistëve katolikë dhe i disa naivëve, pallavraxhinj dhe shtirakë shqiptarë.
Kishën ortodokse serbe në afërsi të Bibliotekës Universitare e patën paralajmërur dhe inkurajuar intelektualë të mëdhenj serb, të cilët donin që Kosova të kishte aq kisha sa kishte ajo banorë ortodoksë.

Katedrala në Prishtinë, është paralajmëruar pokështu nga disa intelektualë, kësaj radhe shqiptarë që vetëm një dekadë më parë deklaroheshin më ateistë se Marksi e Engelsi bashkë. Qëllimi i këtyre të fundit ishte të mashtronte shqiptarët e Kosovës se gjoja ajo për t’u bërë e pavarur dhe për të qenë evropiane duhet më parë të bëhet katolike...

Kisha stërmadhe ortodokse në kryeqytetin e Kosovës ishte një monument për nder të satrapit më të madh të Evropës pas luftës së dytë botërore.

Mega-katedralja që fshiu nga faqja e dheut një shkollë dhe që dëshiron të fshijë nga memoria kombëtare edhe një histori të iluminizmi kosovar, u nis si një monument që donte t’i ngriste vetes bashkëqeverisësi shumëvjeçar i Millosheviqit në Kosovë.
Frymëzuesi i ndërtimit të kishës ortodokse në Prishtinë dhe i shumë kishave nëpër Kosovë, ku gjatë historisë nuk kishte pasur kurrë të tilla, vdiq e shkoi për turp duke lënë shkretë projektin e tij hegjemonist si dhe duke lënë bosh shumë nga binatë e tij religjioze të ngritura në tokë të tjetërkujt.

Frymëzuesin e ndërtimit të katedrales katolike në Prishtinë, në ceremoninë e hedhjes së baltës së themelit, e patën sjellë për krahësh. Aty ai pat nisur një fjalim, të cilin nuk pat mundur ta përfundonte, jo vetëm për shkak të erës që frynte dhe ia merrte fjalët e tij, por edhe për shkak të ngjirjes së zërit dhe të kollitjes ngulfatëse, të cilat ishin isharete të sigurta të largimit të tij të shpejt e përfundimtar jo vetëm nga postet e shumta që mbante, po edhe nga vetë kjo dynja. Dhe ai, pas pak javësh, edhe pat ikur. Për gjynah dhe - pa lavdi. Mbas tij mbeti një vepër e e nisur e sherr-budallenjve joevropianë, e gjoja intelektualëve të Prishtinës.

E përbashkëta e parë e dy godinave religjioze në Prishtinë, ortodokse e katolike, është se që të dyja janë ndërtuar dhe po ndërtohen në tokën e huaj. E përbashkëta tjetër është se që të dyja janë ngrehina politike. Duke dashur të dëshmojnë për diçka, të dyja këto bina të ndërtuara me para të zhvatura nga shqiptarët, nuk paraqesin gjë tjetër pos dëshmi të rrejshme. Natyrisht se janë edhe dëshmi të shkeljes së ligjeve të një vendi, të uzurpimeve pa leje dhe shëmtim e gjymtim i një vendi që edhe me kushtetutë është proklamuar republikan dhe evropian.

e mërkurë, gusht 26, 2009

Talibanë titistë në role gardianësh maoistë


Si mund të kemi zhvillim evropian të letërsisë dhe arteve kur kishim një jetë shumëshekullore nën pushtim dhe kur edhe sot kemi një zhvillim ekonomik afrikan?!


Në një raport lidhur me ligjëratën e Rexhep Qosjes me titull “Zhvillimi i shpejtuar i letërsisë shqipe”, mbajtur pardje në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, një gazetar nga një e përditshme kosovare ka bërë diçka që nuk lejohet në raste të tilla. Ai nuk ka raportuar por ka komentuar ose gjëra periferike e aspak të rëndësishme të atmosferës në sallë, ose ka shprehur impresione krejtësisht të panevojshme, qëllimkëqija dhe të palejueshme për gazetarinë moderne.


Fajet e Qosjes, sipas këtij talibani shtalb të zhurnalistikës kosovare qenkan :


E para : « Ai (Qosja, v.ime) fillimisht shtronte pyetje lidhur me këtë temë dhe menjëherë i jepte vetë përgjigjet…

Çka ka këtu që do të mund të relativizonte apo që do të mund t’i ulte vlerën një ligjërate. Kjo është punë stili dhe kapaciteti retorik të fjalimtarit dhe nuk paraqet asnjësoj mangësie.


E dyta : Ligjërata e Qosjes ngjasonte me një ligjëratë për nxënës të shkollave të mesme, pasi që shtjellonte terminologjitë e ndryshme dhe shpjegonte formacionet dhe shkollat letrare…


Gazetari harron se në shkolla fillore dhe të mesme nuk mbahen ligjërta po mbahet mësim. Ndërsa ligjëruesi gjithmonë zgjedh mënyrën e ligjërimit, i cili brenda vetes nuk ka se si të mos përmbajë terminologji dhe shpjegime të caktuara.


E treta : Nganjëherë ai të krijonte përshtypjen e një gjyshi që u tregonte përralla nipërve dhe mbesave, meqenëse edhe heshtja me të cilën e përcillnin të pranishmit i ngjasonte heshtjes dhe kuriozitetit të fëmijëve për të dëgjuar përrallën deri në fund…


Kjo thënie dashakeqe shënon një vetërrënim për gazetarin, ngaqë heshtja dhe përcjellja me vëmendje e një ligjërate flet për kapacitetin e ligjëruesit, flet për oratorinë e vokabularin e begatshëm të tij dhe, në fund, tregon se ai ligjërues ka autoritetin e mjaftueshëm sa të të krijojë atmosferë ku me aq kurreshtje do ta dëgjojnë studjues shqiptarë dhe të huaj. Dhe domosdo se flet edhe për vlerën e diskursit.

Talebani i ri i zhurnalistikës kishte bërë përpjekje edhe për një përshkrim idiotesk të atmosferës në sallën pushtuar nga qetësia, të cilën e paskan pas prishur « disa persona të papërgjegjshëm, të cilët në vend që ta ç’kyçnin celularin vraponin për të dalë jashtë, duke krijuar rrëmujë, e gati sa nuk rrëzoheshin »…


Dhe çka i ulin vlerë këto cingërima telefonash ligjëratës së Rexhep Qosjes ? Talebani i ri nuk e di këtë gjë dhe ai as bën përpjekje të kuptojë asgjë, sepse ai nuk ka shkuar atje me kokën e vet dhe as ka shkruar me kokën e vet… Qosja mbase, sipas shtalbit të kapardisur zhurnalistik, qenka dashtë të ngritet të lë ligjëratën dhe të presë deri sa të mbarojë bisedën telefonikedhe të kthehet në sallë ai që gati kishte thyer qafën! Dhe pastaj ta kishte pyetur : Kush të thirri, çka të tha e çka i the…Pësenë e marrisë së raportuesit nga Seminari do ta shohim dhe do marrim vesh më poshtë.


Tash le të përkujtojmë titullin e raportit. « A ka letërsia shqipe vlera evropiane? » Ndërsa në nëntitull janë vënë këto fjalë : « Sipas Rexhep Qosjes, letërsia shqipe nuk ka vlera evropiane. Duke mos e përmendur as shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare, i cili prej shumë kritikëve të huaj konsiderohet si një prej shkrimtarëve më të mirë botërorë, Qosja tha se nuk duhet t’i krijojmë vetit iluzione kinse letërsia shqipe ka vlera evropiane ».

Problemi këtu nuk është se Qosja ka thënë se letërsia shqipe nuk ka vlera evropiane, pasiqë për mungesë kualitetesh evropiane të letersisë shqipe është folur sa e sa herë. Bile është folur edhe nga shefi i gazetarit që këtu po gjendet fatkeqësisht. Me një dallim se Qosja faktin e mungesave të vlerave evropiane e trajton si kryeekspert i letërsisë dhe si kritiku më i madh letrar shqiptar, ndësa Shkëlzen Maliqi me përbuzjen e tmerrshme edhe ndaj letërsisë edhe ndaj etnisë shqiptare.


Por problemi i raportit të këtij talebani të ndërsyer qëndron edhe dikund tjetër. Dhe kjo është se Qosja kur ka thënë se letërsia shqipe nuk ka cilësi evropiane, duhet të ketë bërë krimin e rëndë duke mos përmendur një përjashtim-Ismail Kadarenë... Shkëlzen Maliqit, djalit të kryepolicit famëkeq të Titos e të Rankoviqit si dhe talebanit fatkeq nuk u intereson aspak se ligjërimin e tij Rexhep Qosja e kishte lidhur me zhvillimin e shpejtuar të letërsisë shqipe dhe jo për shkrimtarin që prej shumë kritikëve të huaj u konsideruaka si një prej më të mirëve në botë. Këtu ka një dallim esencial. Fundja, edhe nëse është kështu, e nuk është me siguri, a mund të themi se futbolli i Kosovës ka vlera evropiane duke marrë për ekzemplar Lorik Canën...


E lexova në tërësi ligjëratën e Rexhep Qosjes. Fjalës së akademikut është vështirë t'i hiqet edhe një presje e vetme, ndërsa komentet e këtij farë talebani të ri titist të dalë nga fakultetet që merren me pare, nuk janë tjetër pos produkt i një urrejtjeje të sëmurë tridhjetëvjeçare që shefit i tij Shkëlzen Maliqi ka kundër Rexhep Qosjes. Jo për të mbrojtur Qosjen se ai ka kaluar nëpër furtuna edhe më të egra gjatë jetës së tij prej intelektuali dhe i ka përballuar ato, por nuk ke si të mos shtrosh një pyetje :


Si mund të themi se letërsia jonë ka vlera evropiane? Si mund të kemi zhvillim evropian të letërsisë dhe arteve kur kemi një zhvillim ekonomik afrikan dhe më poshtë se afrikan si dhe një jetë shumëshekullore nën pushtim?! Këtu duket se dikujt nuk i pëlqen të shihet në pasqyrë! Pse vetëm në Kosovë duan të flasin triumfalisht për zhvillimet në të gjithë lëmenjtë! Ndërkohë që në Evropë bëhen debate të shumta mbi kualitetin e dobët jo vetëm të produkcionit letrar.


Kadareja, Kadareja, Kadareja... Harrohet se Kadareja ishte produkt i një regjimi. I suportuar fuqishëm nga diktatura, vepra e tij një kohë të gjatë (aq sa zgjati diktatura), ishte në funksion të krijimit të një iluzioni të "përparimit të madh" të Shqipërisë socialiste. Vënia shumëvjeçare e tij në shërbim të ndërtimit e figurës së përmasave piramidale të Enver Hoxhës, nuk ka mundë të shpëtojë pa u vënë re nga lexuesi i hollë evropian, i cili nuk i do diktatorët dhe të cilin e neverisin shërbëtorët e diktaturave.


Titulli “Zhvillimi i shpejtuar i letërsisë shqipe” tregon se shqiptarët, jo vetëm në letërsi, shumë nga vlerat e tyre i kanë krijuar në kushte ngushticash dhe ngutish, gjithësesi me qëllimin fisnik, iluminist dhe të drejtë - të mos ngelin në bisht. Kështu kemi nxjerrë në tregun nacional dhe për një kohë shumë të gjatë jemi detyruar të konsumojmë frutat tona ende të papjekura. Nuk mund të prisnim të piqeshin. Ky ishte kismeti ynë. Të kaluarën nuk e ndryshojmë dot, por me përpjekje të mëdha sot, ndoshta do të arrihet të lëmë diçka më të vlefshme ose, thuaje o Zot ! t’u krijojmë kushte më të mira zhvillimi brezave të ardhshëm. Po, siç këshillon Qosja, pa krijuar iluzione të rreme për veten tonë.

e diel, gusht 23, 2009

Numrat e revistës Republika

Republika 1-2008 : http://dl.free.fr/j2cXXUkho

Republika 2-2008 : http://dl.free.fr/t3lzZbp2e

Republika 3-2008 : http://dl.free.fr/rU40iqcJE

Republika 4-2008 : http://dl.free.fr/qdbYKG1pi

Republika 5-2008 : http://dl.free.fr/jyVEtqgbt

Republika 6-2008 : http://dl.free.fr/jIiVsGyMU

Revista ALTERNATIVA e Shoqatës "Migjeni" të Lubjanës, e para revistë shqiptare e pavarur dhe e pacensurë


Numri i parë i revistës Alternativa ka dalë më 23 qershor 1989, kur Kosova dhe viset shqiptare nën ish-Jugoslavi ranë nën okupimin klasik serb dhe në terr të plotë informativ. Platforma politike e revistës ishte antikomuniste. Përmes revistës mbështetej haptas dhe në mënyrë legale ideja për Kosovën Republikë si dhe ajo e bashkimit të Kombit Shqiptar në një shtet të vetëm demokratik.

Mirë se vini në blogspotin tim