e mërkurë, mars 23, 2011

Korrupcion në majat e Evropës, pushtetarët shqiptarë këto punë i bëjnë më mirë..

Korrupcion në majat të Evropës, pushtetarët shqiptarë këto punë i bëjnë më mirë..

Shkruan Salih Kabashi

Zoran Thaler deri dje në drekë ka qenë deputet i Parlamentit Evropian. Më nuk është. Ka dhënë dorëheqje. Ka dhënë dorëheqje sepse gazeta britanike Sunday Times ia kishte bërë një rrëshqitëz, në cilën, ja që rrëshqitkan edhe personalitete që përfaqësojnë organin më të lartë legjislativ të Evropës. Dje në mëngjez, Zoran Thaleri, parlamentar i PE nga Sllovenia kishte qenë para komisionit për pengimin e korrupsionit, ku kishte lënë në dispozicion të gjitha të dhënat e nevojshme. Duke dhënë dorëheqje ai ka thënë se po ia linte drejtësisë të gjykonte se kush veproi drejtë e kush jo. Zoran Thaleri është ankuar në gazetarët londinezë dhe ka shtruar pyetjen se duke bërë inçizime të fshehta e të pautorizuara, ku mbesin kufijtë e gazetarisë.

Bashkë me deputetin slloven nga Sunday Times janë provokuar edhe dy deputetë të tjerë evropianë: Adrian Severin dhe Ernest Strasser. Slloveni, i cili një kohë ka qenë minister i punëve të jashtme të Republikës së Sllovenisë, thotë se veprimet e tij dallojnë nga ato të dy deputetëve të tjerë. Sipas tij, ai as ka nënshkruar fare llogarie as ka mare fare parash. Ndërkohë që dy kolegët e tij paskan marrë. Thaleri thotë se për gjatë dy muajsh i ka rezistuar presionit të gazetarëve që ta korruptojnë. Flitet për një shumë 100.000 eurosh. Po çka ka ndodhë në fakt?

Tre eurodeputetë: Zoran Thaler, ish-minstri slloven të punëve të jashtme, rumuni Adrian Severin dhe austriaku Ernst Strasser sipas shkrimeve të Sunday Timesit në Parlament të Evropës kanë kanë paraqitur amandamente në ligjet duke qenë të bindur se grupet lobiste do t’i paguajnë për shërbimet. Dy nga ndryshimet në ligje janë në prag të aprovimit, domethënë që të bëhen akte ligjore. Teksti i ndryshimeve të propozuara është krejtësisht i njëjtë me atë që e kanë shkruar “lobistët”, të cilët në fakt kanë qenë gazetarë të Sunday Times-it. Ky mund të jetë skandali më i madh në historinë 53 vjeçare të Parlamentit Evropian. Nënkryetarja e PE-së tashmë ka paralajmëruar hetime. Sipas të dhënave të gazetës së përmendur europarlamentari slloven kishte kërkuar që hisja e tij prej 100 mijë eurosh të derdhej përmes një ndërmarrjeje britanike me çka veprimi i tij do të mbetej i pazbuluar.

E thashë: eurodeputeti slloven ka qenë liga e parë e politikës sllovene. Ka qenë edhe ministër i jashtëm. Aspak më poshtë nuk kanë qenë as austriaku Ernest Strasser, as rumunin Adrian Severin. Strasser, sikurse edhe Taler ka dhënë dorëheqje, ndërkohë që rumuni ngul këmbë se nuk ka bërë asgjë të ligë e të paligjshme. Ai i mohon të gjitha. Nuk duhet harruar se Ernest Strasser ka qenë ministër i brendshëm i Austrisë, ndërsa Adrian Severin zëvëndës kryeministër i Rumanisë.

Nëse do të dëshmohen akuzat, austriaku mund të dënohet deri në 10 vjet burg. Këtë e ka thënë përfaqësuesi i Prokurorisë austriake Martin Urlich duke u thirrur në nenin 304 të Kodit Penal, sipas të cilit dënimi bie mbi ata që me veprim korruptiv përfitojnë mbi 50 mijë euro.

E thamë se Severini ende nuk ka ofruar dorëheqjen. Ai ka thënë se vetëm mund të marrë me mend se pse kanë dhënë dorëheqje dy kolegët e tij, por vetë nuk di asgjë, ndësa e di se vetë nuk do të jape dorëheqje. Ndërkohë Prokuroria antikorrupcion në Bukuresht ka nisë veprimet hetimore kundër eurodeputetit dhe ish-zëvëndëskryeministrit.

Komentet e deritashme flasin për turpërimin që i është bërë institucioneve të Evropës. Veprimet e tre eurodeputetëve, nëse do të tregojë hetimi dhe procesi gjyqësor, padyshim se do të jenë joetike, jomorale dhe të dënueshme. Qysh tash kanë nisur të shfaqen propozime që kanë të bëjnë me nevojën e njëfarësoj betimi dhe të një kodeksi të sjelljes etike për eurodeputetët. Çka është mendim i përgjithshëm është alarmi se duhet ndalur këto logjika korruptive që sillen brenda rrethit më jep-të jap. Duhet bërë gjithçka në mënyrë që veprimet korruptive të marrin epilogjet e tyre gjyqësor.

Gazetarët e të përjavshmes Sunday Times të paraqitur si lobisë, para pak kohësh disa parlamentarëve evropianë u kanë ofruar nga 100.000 euro, nëse në PE do të propozonin amandamente të caktuara në fusha e bankave. Deputeti austriak Ernst Strasser, ai slloven Zoran Taller dhe Adrian Severin i Rumanisë, sipas të dhënave të gazetës kishin pranuar ofertat. Derisa Strasser e Thaler kanë dhënë dorëheqje, Adrian Severin ka refuzuar një mundësi të tillë. Që të tre mohojnë kategotikisht veprimet e dyshuara.

Jonathan Calvert, i cili i ka prirë grupit të gazetarëve të Sunday Times-it në intervistat për mediat austriake, deputetin e atjeshëm e ka karakterizuar si « dinak ». Ka thënë se së bashku me kolegen Clare Newell me Strasserin janë takuar rreth gjashtë herë nëpër hotele të ndryshme në Bruksel, Strasburg dhe Londër.

Ky skandal mund të shërbejë si satisfaksion për pushtetarët e korruptuar shqiptarë në të dyja anët e kufirit. Do të thonë, ja ka korrupcion e keqbërje edhe në Evropë. Sadoqë, tanët nuk lodhen të korruptohen me nga 100.000 mijë euro. Tanëve nuk u hyn në hundë asgjë nën një million. Pastaj, nuk presin shumë që të sigurojnë edhe miliona të tjerë. Pse jo? Gazetarët hulumtues shqiptarë s’i dëgjon kush. Të tjerët janë të korruptuar nga të korruptuarit e mëdhenj. Prokuroria e gjyqësia shqiptare (në Kosovë e në Shqipëri), edhe ato kanë punët e veta. Edhe ato majmen nga ryshfeti, korrupsioni dhe më jep-të jap-i.

Nuk ka komente:

Posto një koment