e martë, shkurt 22, 2011

Ali Foniqi, një lojë e dhimbshme dhe qesharake midis tij dhe UDB-së

RADIOREPORTAZH


Nga Salih KABASHI

Mentor i dashur - Mirëmbrëma ! *

Kur vendosa për raportin e sontëm më ra ndërmend romani 1984 i George Orwellit. Nuk do të ndalem shumë në një vepër të tillë letrare, sado që do të më pëlqente. Por le të themi edhe dy –tri fjali : Figura kryesore e romanit është Vëllau i Madh (në origjinal Big Brother dhe ai u bë një figurë metaforike për regjimin policor e totalitar dhe për regjimet ku liritë njerëzore shkelen e ngushtohen. 1984-shi përndryshe përshkruan Britaninë e Madhe pas një lufte të supozuar nukleare midis Lindjes e Perëndimit, ku instalohet një regjim totalitar i inspiruar njëherazi nga stalinizmi dhe nga nazizmi. Liria e të shprehurit më nuk ekzistonte. Të gjitha mendimet survejoheshn. Rrugëve dukeshin pankarta dimensionesh madhështore në të cilat shkruante “Vëllau i Madh po ju shikon » (« Big Brother vous regarde », »Big Brother is watching you »). Një atmosferë pra ku të gjithë ndjeheshin të frikësuar nga të gjithë.

Le të dalim nga letërsia, por le të mbesim tek 1984-ta e Kosovës. Thua se Orvelli kishte pasur në mendje pikërisht një Kosovë me një atmosferë të tillë të zymtë, të frikshme dhe të një brenge të thellë të shqiptarëve. Kishin kaluar tre vjet nga viti i lavdishëm 1981 dhe manifestimet e fuqishme në favor të Kosovës Republikë. Partia dhe Shteti ishin të vendosur që të shkonin deri në fund në thyerjen, siç thuhej, të kurrizit të irredentes shqiptare. Bastisjet, burgosjet, torturat brutale përsëriteshin në mënyrë serike. Dalëngadalë u bë e qartë se lufta nuk po bëhej kundër irredentes veçanërisht po kundër shqiptarëve përgjithësisht. Armiq më nuk ishin disa të rinj të indoktrinuar, ca mësimdhënës nacionalistë, ca punëtorë të manipuluar..., armiq ishin shqiptarët. Përgjithësisht. Të gjithë pa dallim. Vetë të qenmit shqiptar në Jugosllavinë e vitit orvelian 1984 paraqiste një krim. Në mesin e qindra shqiptarëve që u duhej thyer kurrizi irredentist ishte edhe një djalë i ri, i sapodalë nga Universiteti i Prishtinës me diplomën e juristit. Ai po bënte javët e para të praktikës gjyqësore në Gjykatën Komunale të Klinës. Vinte nga Llazica e Malishevës. Një familje me perspektivë. Një kuadër aq i nevojshëm. Një mëngjez kur kishte dalë nga shtëpia dhe ishte nisur për në punë, në djerrinën e fshatit dy operativistë të UDB-së i thanë se mund ta çonin deri në Klinë, pasiqë andej e kishin rrugën. Jo me qejf ai u fut në veturë, por në vend se ta linin ku i kishin thënë, atë e çuan drejt e në katin e dytë të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Pejë. Dhe e mbyllën në një nga zyrat. Dhe i vunë prangat. Dhe e lidhën për radiatori. Ishte nëntor, ishte fohtë. Dhe ai që nuk po kuptonte asgjë për situatën në të cilën u gjend ishte Ali Foniqi, i biri i Mehmet Januzit nga Llazica, luftëtar i Ballit Kombëtar e më vonë aktivist i palodhshëm në pajtimin e gjaqeve. Aliu ishte i kidnapuari. Ai me atë çast kishte humbur dhe nuk do ta gjente lirinë deri në dhjetor 1988. Në shtëpi atë e priste më kot familja e tij*, nusja Shyqrija** me Artën njëmuajshe. Ata ende nuk kishin një vit nga martesa e tyre. Të tjerat në ngjarjen e Ali Foniqit janë absurdet që mund të prodhonte vetëm makina staliniste-fashiste e UDB-së jugosllave, të cilës i shërbenin ca shqiptarë të mjerë pa ndjenja atdhetare dhe pa ndjenja elementare njerëzore. Pse u kidnapua, pse u mbajt në paraburgim, pse u dënua, pse u torturua në mënyrë aq shtazarake...

Në rastin e Ali Foniqit kronika tragjike e burgosjeve shënon absurdin kulmor. Ali Foniqi, kur me dredhi u mor në polici, nuk e dinte se në burgun ngjitur me godinën ku po e mbanin, e kishte edhe të vëllanë, për të cilin kishte menduar se gjendej në Zagreb ku kishte dashur të regjistrohej në fakultet, ngase për fakultetet e UP-së nuk kishte marrë vizë mbi pastërtinë ideologjike nga udhëheqës komunistë lokalë. Por Sefedini kishte preferuar më parë që të kalonte në Shqipëri dhe atje të mbaronte studimet. Kalimi i tij atje nuk i doli si e kishte menduar. Autoritetet shqiptare e kishin kthyer mbrapsht dhe më pas gjykata për kundërvajtje për kalim ilegal të kufirit e kishte dënuar me dy muaj burg. Gjatë kohës sa ishte brenda, Sefedinin e merrnin në pyetje udbashë të shumtë, e rrihnin dhe donin të merrnin vesh se kush e kishte dërguar dhe me çfarë detyrash ishte nisur për në Shqipëri, natyrisht se edhe çfarë detyrash e porosish kishte marrë atje dhe për kend në Kosovë ishin ato porosi. Djali i ri nuk mund të thoshte pos atë që ishte e vërteta: në pamundësi për të studjuar në Kosovë, kishte msy Shqipërinë. Sefedini nga një i dënuar për kundërvajtje, u shndërrua në një të paraburgosur politik duke mos i lejuar asnjë komunikim me familjen. Ndërkohë, siç thamë, edhe Aliu ra në kthetra egërsinash dhe akuza ndaj tij ishte se ishte ai që e kishte instruktuar dhe përgatitur të vëllanë për vajtje në Shqipëri me detyra të caktuara nga kreu ilegal i nacionalistëve dhe irredentistëve.

Të dy vëllezërit UDB-ja që ishte edhe hetuese, edhe prokurore edhe gjyqtare, i dënoj me shumë vite burg.

Në procesin kundër Aliut ndodhi diçka që ndoshta është gjëja, sa e dhimbshme, aqedhe qesharake. Në fakt Aliu, për t’i dhënë fund torturave dhe hetimeve që nuk po mbaronin mbi një vit, vendosi të “pranojë” diçka. Udbashëve e hetuesve u tha: Po kam qenë në Shqipëri, kam qenë në Shkodër, Bajram Curr, Korçë, Vlorë, Tiranë... Udbashët hapën sytë dhe u kënaqën, por shtruan edhe pyetjen tjetër. Me kend ishte takuar ai në Shqipëri. Aliu tha ca emra pa lidhje. Jo jo i thanë ata, ne na interesojnë emra nga ata të Sigurimit shqiptar dhe të punëve të brendshme. Dhe Aliu që Shqipërinë e kishte parë vetëm përmes Televizionit shpiku dy emra të punonjësve të lartë të Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit. I pari ishte “zëvëndësministri i brendshëm” Petro Marko dhe tjetri, një nëpunës “me rang të lartë” atje me emrin Pirro Kati. Kohën e shkuarjes në Shqipëri Aliu e lidhi me janarin 1984. Në shqyrtimin kryesor Aliu shpejgoi se në kohën kur ai gjoja kishte qenë në Shqipëri, në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, kishte mbi dy metra borë. Për t’i bërë budallenj tamam, Ali Foniqi zbuloi para gjyqit se Petro Marko është shkrimtar shqiptar, ndërsa Pirro Kati një prezentator i Televizionit Shqiptar... Gjyqtarët e Gjykatës së Qarkut në Pejë u turpëruan edhe një herë. Përkundër fakteve të padyshimta që nxirrnin të pafajshëm një koleg të tyre të ri, ata i dhanë atij dënimin prej 7 vjet e 6 muaj, ndërkohë që të vëllanë poashtu për hiç gje ia dënuan me 4 vjet.


E shtunë, 22 gusht 2009, 00:00

_____________________________________

*Raport për Radio Kosovën, më 21 gusht 2009, Ditä e Parë e Ramazanit, te emsioni Mirëmbrëma Kosovë të udhëhequr nga Mentor Mripa dhe me mysafir Kryeimamin e Kosovës, Mr. Sabri Bajgora

*Vëllezërit Ali Foniqit: Jakupi, Zeqiri, Sylemani, Sefedini, motrat Zoja, Sherifja e Sahidja, si tërë Kosova dhe të gjithë shqiptarët nuk kanë se si të mos i gëzohen lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për të cilën secili në mënyrën e tij ka bërë saktificën e duhur. Zeqiri, njëri nga vëllezërit e Aliut, i cili ishte me punë në Gjermani, pat mbetur për dy vjet të tëra pa pasaportë duke u torturuar aq brutalisht sa pasojat e asaj torture i ndjen edhe sot e kësaj dite.

**Aliu ka 18 vjet qyshse me të shoqen e fëmijët jeton në Gjermani: Arta studente në Universitetin e Esenit, Adriatiku, nxënës në një shkollë profesionale, Arbnorja në klasën e 10 në Realschule, ndërsa Alba është në vitin e 8 të shkollës fillore.


Nuk ka komente:

Posto një koment