e martë, shkurt 22, 2011

Magjia shqiptare në Orléans - e magjishmja Inva Mula, virtuozi Genc Tukiqi


Fotoreportazh

E magjishmja Inva Mula, virtuozi Genc Tukiqi

Sa keq për ata që nuk ishin në mbrëmjen me Inva Mulën dhe Genc Tukiqin! Një mbrëmje tepër e rrallë, një natë e paharrueshme, një orë e 20 minuta fantastike, diçka që është shumë vështirë të përsëritet prap, diçka e paparë, diçka e padëgjuar. Dhe diçka e papërjetuar ndonjëherë. Ishte rendez-vous e «Shqiptarëve të Francës» në Salle de l’Institut në Orléeans. Të dielën mbrëma. Rreth treqind spektatorë ishin ata që përfituan aq shumë. Kush ka munguar ka lënë një rast ndoshta të pakthyeshëm e të pamundshëm për të parë, për të dëgjuar e për të ndjerë se çka është muzika e bukur, çka është interpretimi sublim, çka është ekzekutimi maestral.



Ajo çka ndodhi aty nuk mjafton të quhet e bukur. Po sa pak do të thonim, sa në hak do t’i hynim asaj rrallësie, asaj shfaqjeje unike dhe të paparë ndonjëherë në qytetin historik të Francës. Genc Tukiqi, pianisti i rrallë, i cili me aq lehtësi kalon nga humori i lehtë i tingujve deri në universalizmin e muzikës, pastaj një diva e vërtetë e shfaqur përmes personit të Inva Mulës. Ja, kënaqësia më e madhe e mundshme për shpirtin dhe veshët e secilit.

Shkurt e shqip, ishte një mbrëmje nga e cila secili i pranishëm fillimisht ka përjetuar e pastaj edhe ka marrë me vete edhe gudulisjen e thellë shpirtërore edhe mrekullimin. Askush, asnjë i dashuruar në belle musique nuk mund të mi kundërshtojë këto që po them! Ishte një ambient i dallgëzuar i një mbrëmjeje plot sharm, plot hare, plot ngjitje fantastike vokale e pianistike. Kah fundi i koncertit, Inva dhe Genci na ftuan që bashkë me ta të këndonim edhe disa nga këngët shqiptare. Publikut francez e shqiptarë, Inva u tha: Muzika dhe kënga shqiptare janë më e bukurat në botë… Pas koncertit, e pyieta Invën nëse atë e tha nga hareja e krijuar, apo…”Jo,jo… unë vërtetë mendoj ashtu dhe ashtu është vërtetë…”

Në koncertin e 30 majit pata nderin e rrallë që të takoja shumë njerëz të jashtëzakonshëm francezë e shqiptarë. Ndër ta, edhe Nina Mulen, të ëmën e mrekullueshme të Invës, si dhe akademikun shqiptar Bahri Beci me bashkëshorten e tij. Pastaj mikun tim të kahershëm, shkëlqësinë e tij Xhevat Halili, konsull i Maqedonisë në Paris, pastaj zyrtarë dhe funksionarë të Orléans-it. Njohjen me Genc Tukiqin e konsideroj kënaqësi të papërsëritshme. I biri i të madhit Ibrahim Tukiqi, ishte jo vetëm mjeshtër i rrallë dhe profesor pianoje në Paris, por, njësoj si i jati, një shqiptar i madh me një dashuri të zjarrtë për vendin dhe popullin e tij, ku Kosovën e kishte, amanet nga baba, në fillim e mbarim të dashurisë e të krenarisë. Për të gjitha këto unë, për respektin edhe ndaj lexuesve të mi e të “Republikës”, të Radio Kosovës e të shefit tim Mentor Mripës, nuk do të mund t’i rezistoj tundimit që të shkruaj e të flas pak më shumë për impresionet e mbrëmjes së 30 majit në Orléans. Ju premtoj.

Nuk ka komente:

Posto një koment