e martë, shkurt 22, 2011

Rrugëtim si nëpëri ëndërr i Fahrijes së Sadik Halilit nga Tomoci


RADIOREPORTAZH*


Nga Salih KABASHI

Mëngjez i bukur veror në Kosovë. Fresk që të lejon të mbash veshur vetëm një këmishë me mëngë të shkurtëra apo një veshje të lehtë. Në stacionin e autobusëve në Pejë zë e prishet qetësia e mëngjesore. Autobusë të shumte ndalojne pranë radhës së agjencive të shumta të udhëtimit. Taksistët apo të afërmit bashkë me bagazhet e tyre sjellin fëmijë të përgjumur, të rinj te zhurmnshëm, gra që merren me fëmijët, burra që me nge pijnë cigare dhe kafe në bufetë e atyshme të herakëve pejanë dhe pleq, të cilët korit të të qeshurave u shtojne kollën e tyre.

Shoferë e konduktorë janë në lëvizje, ndihmojne pasagjerët në sistemimin e bagazheve, tregojnë ulëset.

Industria e turizmit të Kosovës me Shqipërine po shënon majat e saj. Autobusë venë e vijnë. Tashme çdo gjë është ndryshe.

Kufiri i dhunshëm midis Kosovës e Shqipërisë ndodhet nën grahmat e fundit.

Në autobusin tim që në fakt është autobus i Gjakovës, në bord janë dy djem të rinj, të sjellshëm dhe tejet shërbyes. Jemi akomoduar dhe tashme jemi në rrugë. Shoferi ndalon në Raushiq, Strellc, Deçan, Gjakovë, në Piranë e Randobravë, arrijmë Prizrenin dhe marrim të djathtën drejt Vërmicës sonë dhe Morinit të Kukësit. Procedurat janë më të shpejta, të thjeshta dhe pa pengesat e komplikimet e njohura më parë.

Futemi në Shqipëri. I gjithë grupi ynë nuk ka se si të mos i gëzohet rrëshqitjes së lehte të automjetit tonë nëpër asfaltin e saposhtruar në rrugën e gjerë, e cila nga Kosova e Shqipëria ka bërë nga dy vende - një dhe nga një popull i ndarë - një dhe tashmë të bashkuar.

Tashti Kosova e ka detin në derë të shtëpisë. Kafen e mëngjezit mund ta pijmë në Mitrovicë, Pejë, Gjilan a Prishtinë… Kaftjallin mund ta hamë diku në Mirditë a Pukë, ndërsa për drekë do të zgjedhim vetë se ku do të shtrohemi: në Shkodër, Lezhë, Kruje, Elbasan, Durrës apo në Tiranë.

Lumë ne që pritëm këtë ditë…

Lumë ne që pritëm këtë ditë…, më bëhet se këto fjalë po i dëgjoj nga goja e Fahrijes së Sadik Halilit nga Tomoci. Ajo është ulur në ulëset e para të autobusit dhe përlan me sy panoramën madhështore që shtrihet para nesh.

Ajo është rreth të shtatëdhjetave, është e veshur siç vishen gratë e moshës së saj në Podgur e në Dukagjin. Nga veshja e saj shquhet sidomos shamia borë e bardhë e lidhur prapa. Ajo ka një shikim të ëmbël, po edhe të lodhur e melankolik njëherit.

Po përse mendohet Nëna Fahrije në këtë mëngjez gushti që atë me nipin e saj Drilonin si dhe të birin e të renë po i çojnë në Durrës?

Ka çka mendon Nëna Fahrije, bijë e Lokajve të Prilepit që u bë nuse në Tomoc para më shumë se 50 vjetësh. Ajo ishte e bija e Imer Isuf Lokajt nga Prejlepi. Qysh si fëmijë ajo kishte përjetuar traumat që shkaktonin bastisjet brutale e të papritura të OZN-ës e të UDB-së. Nga një nga ato hallakatjet rankoviqiane ia patën marrë babanë, i cili pastaj me vite të tëra kaloi nëpër birucat e errta e të acarta të burgjeve serbe, të mbushura me ujë e akull janarësh … E gjithë jeta e saj ishte plot episode bastisjesh dhe arrestimesh që ndodhnin para syve të saj. Të jatin asokohe ia akuzuan pse ishte ballist dhe nacionalist dhe pse e donte Kosovën bashkë me Shqipërinë. Edhe te shtëpia e burrit të saj gjërat nuk ndryshuan. Familja e Sadik Halilit dhe e të afërmve të tij që njihen në Tomoc si Brahim Saliht ishin në shenj nga hyqmi komunist e çetnik. Pas vitit 1950 një pjesë e familjes së gjerë, si masë ndëshkuese, u deportua me dhunë në Vojvodinë. Një pjesëtar i tyre kishte kaluar në Shqipëri. Kur u rritën fëmijët e Sadikut e të Fahrijes, edhe ata, sipas amanteteve të gjyshërve menduan dhe vepruan për Kosovën dhe popullin e saj. Bastisjet u bënë të përhershme. Ajo nuk i harron ato trishtime aq të shpeshta sa as numrin nuk ua di. Ishin shumë, shumë.... I kujtohet se milicë e udbashë të Istogut e të Pejës edhe miellin në magje e rrotullonin mos gjenin armë apo edhe më rrezik se armët: libra e fletushka nga Shqipëria apo të lëvizjeve ilegale... Gjithmone dikush merrej në bisedë informative ku, nëse nuk burgosej e dënohej me procedurë të shpejtë ai kurrësesi nuk mund t’u shpëtonte rrahjeve brutale. Burri i saj Sadik Halil Shatri nuk kishte si të dilte në derë të shtëpisë pa survejimin e përcjelljen e argatëve të dreqit, të cilët e kishin shitur shpirtin e tyre për ca privilegje të turpshme.

Sot Fahrija e Sadik Halilit nga Tomoci po e shuan mallin e saj për Shqipërinë, të cilën e deshën i gjithë farefisi dhe familja e saj, babai, i shoqi dhe të bijtë Naseri, Skënderi, Nysreti e Enveri, të bijat Sabrija e Mahija.

Siç u tha, Nënën Fahrije, i nipi Driloni që edhe ka lindur edhe jeton në Suedi, të enjten e 6 gushtit 2009, e kishte marrë dhe po e çonte të shplodhej në plazhet e bukura të Atdheut të saj deri dje të ndaluar.

Nuk duhet harruar se bijtë e saj ishin aktivë që nga orët e para në luftën e lavdishme të UÇK-së, e cila bashkë me NATO-n e çliroi Kosovën duke i dhënë kështu fund ankthit të nënave tona.

Nëna Fahrije në këtë ditë gushti dukej shumë e përmalluar dhe njëherit edhe e përmbushur në idealet e e saj, të babës, të burrit dhe të bijve të saj të famshëm.

*Reportazhi është edituar më 7 gusht 2009 në emisionin “Mirë mbrëma Kosovë” të Radio Kosoves që udhëhiqet nga moderatori Mentor Mripa.

Nuk ka komente:

Posto një koment