e martë, shkurt 22, 2011

"Lopët" e Milaim Zekës


Kushdo që sadopak e njeh gazetarinë e Kosovës dhe raportet brenda saj, e di mire se të gjithë, femra e meshkuj gazetarë, për të ulë poshtë njëri-tjetrin, më së shumti, më së shpeshti dhe kryesisht e përditë thërrasin në ndihmë fjalë e shprehje nga bagëtia e bujqësia.

Salih Kabashi

Në Kosovë ka ra një kijamet!? Milaim Zeka ka përdorë për një soj gazetarësh e gazetaresh në vend të fjalëve të rënda: injoranatë, të padije, provokatorë, teveqelë…, fjalën e butë që emërton një kafshë jashtëzakonisht të dobishme e paqësore shtëpiake. Dikujt që kamera i mbuloi fytyrën (pse « viktimës » e jo « agresorit » të supozuar ?!) dhe që në rastin konkret në një vend konkret (kthimi i delegacionit parlamentar nga vizita në Kuvajt dhe konferenca për shtyp e kryetarit të Kuvendit në Aeroportin e Prishtinës), mëtohet të identifikohet si viktimë e një agresioni verbal, po i përgjigjej në pyetjet e saja agresori i supozuar, të cilin kamera (e kujt ?) po i përcillte çdo lëvizje. Nga lëvizja me gjasë e njëanshme dhe e parapërgatitur e kamerës, shohim « filmin » ku « lopa » ankohet pse M. Z. kishte ironizuar pyetjet e disa gazetarëve në konferencën e sapopërfunduar të shtypit, ndërkohë që « çobani » po i qortonte për joprofesioniste dhe jashtë kontekstit pyetjet e disave syresh.

Le të lëmë për pak çaste mahinë, edhepse e tëra duket një show i vërtetë humori që nuk do të duhet ta shqetësonte për as një sekondë të vetëm as Sylejman Shaqirin as AGPK-në, dhe për pak çaste le të përpiqemi të qartësojmë se çka ka ndodhur në të vërtetë. Le ta kujtojmë se humori arrin gjithmonë efektin dhe kulmin e tij kur aktorët janë tepër seriozë dhe në dukje edhe nervozë… dhe jo kur zgërdhihen e skërmiten.

Delegacioni parlamentar i Kosovës po kthehej nga Kuvajti. Në aeroport udhëheqësi i degacionit po mbante një konferencë shtypi pas një vizite që jipte shenja se shteti i pasur dhe me ndikim arab mund të jetë ai që do të mund të njihte së shpejti pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kjo nënkuptonte se delegacioni në fjalë nuk po dilte dhe nuk mund të dilte nga një mbledhje parlamenti dhe as nga ndonjë takim ku do të kumtohej themelimi i një fondi. Gazetarë të disa nga gazetat, televizionet dhe mediat tjera tona që përditë duke akuzuar qeverinë shprehen plot brenga pse Kosovën ende nuk e ka njohur numër i mjaftueshëm i shteteve që asaj pastaj do t’i siguronte ulësen në OKB, atë të premte të 29 majit sikur harruan se ku po shkonin, kend po e prisnin dhe për çka do të sillnin informacionin. Ata atje ose kishin shkuar me duar në xhepa, apo me mendjet e harruara te shtëpia ose edhe të derdhura rrugës. Prandaj edhe shtruan pyetjet që gazetarët që njohin mirë profesionin e tyre nuk do të duhej t’i shtronin për shkakun e thjeshtë se aty nuk kishte vend për pyetje të tilla. Përndryshe Jakup Krasniqi edhe mund të mos kishte, dhe fundja pse ta kishte idenë bash për gjithçka që kishte ndodhur në Prishtinë gjatë mungesës së tij.

Alarmin për kijametin që gjoja i ka ra Kosovës e quaj të paqenë. Milaim Zeka si “Çobani” dhe Liridona Lluka-Gashi si “Lopa” (kërkoj falje nëse nuk ka qenë ajo, sepse ajo në “film” duket pa kokë apo me shtëllungë leshi të purport në vend të kresë), mendoj se vetëm kanë lujatur një pjesëz teatri me vokabularin që është i përditshëm dhe shumë folkloristik në botën kosovare të medias. Kushdo që sadopak e njeh gazetarinë e Kosovës dhe raportet brenda saj, e di mire se të gjithë, femra e meshkuj gazetarë, për të ulë poshtë njëri-tjetrin, më së shumti, më së shpeshti dhe kryesisht e përditë thërrasin në ndihmë fjalë e shprehje nga bagëtia e bujqësia., si: “pela”, “kali”, “lopa”, mëzati”, “qura”, “qurani”, “magarica”, “magari”, “thiu”, “dosa”, “fusha”, “livadhi”, “ledina”, “kungulli”, “tromaku”… Bile këto shprehje, sado aspak të pahijshme, gati se askujt më nuk i lënë përshtypje, bile as i merr kush për fyerje. Përndryshe në videon që është hedhur në internet, a e keni vënë re se si zonja gazetare LLlG gati se insiston që MZ t’i thotë edhe asaj se pikërisht ajo, e jo ndonjë tjetër është njëra ndër “lopët” apo “lopa” e vetme, të cilat MZ i kishte përmendur në shumës. Kur ai ia pohon, ajo prap lyp, dhe prap ngul këmbë që asaj t’ia sigurojë e pohojë e t’ia vulos edhe më tutje “lopësinë”... A pyesni se pse!? Më mirë mos pyesni fare, sepse atëherë do t’i jipej dimension serioz diçkaje që s’është aspak e tillë. Merreni vetëm si një show që ndodhi, s’ka rëndësi spontanisht a në marrëveshje, mbasi kishte përfunduar gjithçka që do të duhej të ishte e rëndësishme dhe serioze në aeroportin e Prishtinës kur burrat e vendit e të kuvendit erdhën nga vizita me gjasë e suksesshme në Kuvajt. Nëse do të hynim në debate dhe stërhollime, atëherë do të dilnim pa çare në problematikën e shkollave të gazetarisë në Kosovë, të cilat, tash po e them edhe vetë, vërtetë pa dashur të fyej lopët tona kombëtare e ndërkombëtare, më shumë se gazetarë në fund të « studimeve » kanë nxjerrë jo vetëm « lopë » e « kuaj », po edhe « gomerë » e « magarica ».. Të gjithë i dijnë kriteret e rekrutimit dhe cilësitë e formatimit që kanë bërë dhe bëjnë edhe sot ato shkolla.

Nëqoftëse në rastin konkret ka diçka që do të duhej dënuar rëndë, atëherë kjo është fushata e vërtetë për të dënuar dhe difamuar Milaim Zekën sipas manireve të direktivave të komiteteve të mbrojtjeve e të vetëmbrojtjeve shoqërore të kohëve të prokurorëve të vaktit të Serbisë në Kosovë. Më tutje, nëse duhet domosdo ta dënojmë Milaim Zekën, atëherë do të duhej menduar nëse për diçka të tillë ka ndonjë nen në Kodin penal që do të sanksiononte fyerjen eventuale që ai mund t’u ketë bërë « lopëve ». Me qëllim nuk thashë « lopës ». Se atëherë titulli do të ishte « Lopa » e Milaimit e jo “Lopët” e Milaimit. Milaim Zekës.

31 maj 2010, 18:03

Nuk ka komente:

Posto një koment