e martë, shkurt 22, 2011

Prifti gjenial i Detroitit

E kam takuar nja dy herë priftin e Kishës së Detroitit Anton Kqirën. Një herë në Amerikë e një herë brenda Hotel Dajtit në Tiranë. Në të dy rastet nuk shihja kurrëfarë gjurme të ndonjë buzëqeshje të kahershme as të ndonjë tjetre mbetur në tentativë. Mendoja se mos këtë ia bënte të pamundshme balli i tij paksa i ngushtë, ndoshta edhe buzët e tij të instaluara johorizontalisht si dhe njëfarë permanent dhëmbështrëngimi gati kërcënues.

Salih KABASHI

Por, vetë njerëzit që qeshin shumë rrallë apo edhe të tillë që asnjë xiglimë nuk mund t'u shkaktojë qeshjen, mund të na bëjnë të qeshemi edhe mirë bile. Jo sall të qeshemi, po edhe të gajasemi. Mua prifti i nderuar më ka bërë të qeshem një herë të vetme. Por, ajo qeshje që ai ma kishte nxitur është si diçka që shkakton të njëjtin efekt qeshjeje sa herë që të vërtitet nëpër mend.

Për çka është fjala? Anton Kqira, pas shpinës dhe nuk e di me hak a pa hak, e ka pas shpallur TURK, emrin e njohur Ibrahim Rugova, katolik kurrësesi, po dashamirës i katolikëve gjithsesi. Ky i fundit, rahmet i pastë shpirti, ka qenë jarani im në shumëçka pos në politikë. Këtë ai e ka ditur fort mirë sa ishte gjallë.

E pse prifti Anton Kqira ma pat shpallë turk jaranin tem? Ua tregoj ashtu siç më ka pasë thënë vetë Ibra dhe siç është folur nën zë ç’prejse ajo punë kishte bërë vaki.

Ai, domethënë Ibrahim Rugova, e ka pasë zanat që kur kishte mundësi, pas kryerjes së nevojës së madhe ta përdorte ujin në vend të letrës së toaletit. Pra, ai, me nder jush, merrte TAHRET. Për taksirat të shpalljes së tij "TURK", ndodhi njëherë që në një takim bashkatdhetarësh në Amerikë, apo gjatë një ndejë shqiptarësh, menjëherë mbas Presidentit të Kosovës, në të njëjtën kabinë nevojtoreje, hyn edhe prifti i Kishës së Detroitit, i shtyrë nuk dihet se nga cila prej dy nevojave, ngase për ndonjë nevojë të tretë nuk besohet të kishte shkuar...

Se çka ka pa e çka s'ka pa me atë rast unë edhe nuk e di, dhe njëherit nuk kam shpirtë me hupë me farë hamendësimi a spekulimi. Nga rrëfimet e kohës edhe nga ato të Ibrahim Rugovës, kthimi i priftit nga vendi ku shkon mbreti këmbë në tavolinën e tij të nderit, i mrrolshëm si gjithmonë, kishte pasuar me një deskripcion dramatik nga ana e tij e gjendjes së nevojtores pas përdorimit presidencial. Domethënë edhe gjatë e pas inspektimit priftëror. Ibrahim Rugova, kështu, pos vlerësimeve të shumta që ka marrë nëpër botë e brenda vendit, nga ky prifti pa çehre (personazh i një debati të vrullshëm provokuar nga një “keqardhje” e tij pse Millosheviqi nuk i kishte therë siç kishte therë edhe të të tjerë -si qentë edhe të gjithë shqiptarët e Kosovës plus boshnjakët e Bosnjes...), mori edhe nderimin më të rrallë e më të pazakonshëm, ndoshta të jashtëzakonshëm që dikush mund ta ketë marrë gjatë gjithë historisë nacionale e njerëzore për një meritë të vetme të tij – praktikimin e tahretit. Nga prifti Anton Kqira, pra, presidenti shumëvjeçar i Kosovës Ibrahim Rugova, për prirjet e tij tahretmarrëse, zemërgjerësisht qe shpallur TURK.

Jo shumë kohë më vonë, kur Ibrahimi pat ardhë te unë në Lubjanë, i pata thënë:
"Do të ta ndrroj mbiemrin..."

Dhe qeshte Ibra, qeshja edhe unë. Qeshnim të gjithë. Ibra ka pasur një qeshje shumë të veçantë. Gjatë qeshjes, atij edhepse nuk i ndihej zëri, ndërkohë që shkrihej i tëri. Qeshte si personazhet e filmave të animuar nga fillimshekulli XX. Ai qeshte me mua për rromuzet që ndërtoja me shpalljen TURK të tij nga ana e Kqirës. Unë i thoja herë TURK, herë ATATURK. Por, duke qeshur nuk harroja asnjëherë që Anton Kqiren ta shpallja gjenial dhe ta falënderoja për invencionin e tij që nga një situatë e eveniment i tillë të na kishte ofruar një rast të tillë të jashtëzakonshëm në humorndërtimtari.

Mendoj se prifti zotni edhe me këtë rast, sado morbid që mund të duket, megjithatë në tregum humoristik ka hedhur sërishmi një lëndë të parë të jashtëzakonshme qeshjeje.

Ah, sikur ta bënin Anton Kqiren që edhe ai të qeshte sadopak dhe të mos shfaqej kaq rregullisht e kaq sistematikisht me nga një grumbull mrrolash në ballë e nga një det të dallgëzuar ngërdhucjesh me dhëmbë! Dhe të mos ekspozohet kaq shpesh me minusa, kur ai, apo jo, e ka plusin...

P. S:
Ndërkohë pashë edhe një diskurs fantastik e humoristik të Anton Kqirës. Besimtarët nga Malsia, kështu nënkuptohet nga fjala e tij, e kishin quajtur jo PRIFT po POP. Dhe Don Antoni, siç mund të shihni, u thotë atyre që ta marrin POPIN (nëkupto Anton Kqirën) dhe çojeni te nënat tuaja dhe çojeni te motrat tuaja. Dhe guxon dikush të më thotë se Anton Kqira nuk është gjeni?!
Konkluzion: Edhe duke i censuruar, edhe duke i bërë synet fare, edhe duke i nxjerrë edhe duke i futur në kontekste nga më të ndryshmet, fjalimet e priftit shqiptar nga Kisha në Detroit gjithmonë mbartin në vetvete pudrën fantastike të qeshjeprovokimit.
E enjtei 4 mars 2010, 13:44

Nuk ka komente:

Posto një koment