e martë, shkurt 22, 2011

Nurishahja e Ballkanit

Mos përmendni as Arberijen as Rovenen, Noren as Çiljetën.., mos permendni asnjë yll estrade nga Ballkani i gjerë. Çfarë Cece, allahile ! Ylli i Ballkanit qe një vit e sa është një sllovene e hollë, e gjatë, e zeshkët, e rreshkët, i shkojnë mirë si fustanat si pantollonat, besa edhe më mirë duket kur nuk i ka të veshura as njërën as tjetrën, por shfaqet e veshur vetëm pak më shumë se si e ka lindë nana… Është sllovene.

Po cila qenka kjo sllovene. E sllovene është po në Slloveni rri më pak se sa në Bruksel e Strasburg. Bile as në Belgjikë nuk është fort e betonuar. Udhëton, udhëton. Vitin e fundit ka vizituar shpesh Shqipërinë. Edhe në Kosovë ka ardhë ndonjëherë. Nuk ka mbajtë asnjë koncert, por, po, është takuar me burra shteti. Dihet : i ka çmendë me sharmin e bukurinë. Ajo është njeriu që ka gëzuar shumë gjysmën e shqiptarëve. Gjysmën tjetër ka mbetë ta gëzojë një femër tjetër, më pak atraktive, aspak yll, bile edhe me prirje që të mos bëhet as përafërsisht e dashur si e para...

Por, le ta lëmë këtë. Le të flasim për të Mirën. Për të mirën, për të bukuren, të renë e të mençmen.

Po kush qenka kjo shtojzovalle që i merr kaq minuta radios sonë ? Është ajo që Bosnja e Hercegovina e stolisi me doktoranturë nderi të Universitetit të atjeshëm amerikan. Edhe unë do ta nderoja me doktoranturë nderi para se Bacën Adem, por me kusht që ai që asaj atë doktoranturë do t’ia jipte drejt në duart e saj të bardha, të isha unë doravetë. E në rastin e pamundësisë që ta bëja këtë, atëherë atë dorëzim ta bëje ti – Mentor ! (1).

E po, në Tiranë tashmë ka një kafeteri a një restaurant me emrin e saj. Ajo është praktikisht mbretëresha e shqiptarëve dhe e boshnjakëve. Nur. Nurishah. Tanja Fajon.

Pse do të doja që Tanjen ta bënim doktore nderi para se Adem Demaçin ? Sepse Bacën pastaj do ta nderonim dyfish. Do t’ia jipnim edhe titullin doktor nderi, por do të provonim që mundësisht t’ia jipnim atij edhe Tanja Fajonin !

Profili i Tanja Fajonit në Facebook është i përmbytyur me shpehje të zjarrta falënderimi pse ajo edhe boshnjakëve edhe gjysmës së shqiptarëve u hapi dyert e Shengenit, heqjen e vizave.

Si raportuese e Parlamentit evropian mbi liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor, Tanja ka dhënë kotribut të madh që qytetarët e asaj hapësire që dikur quhej Jugosllavi, pos Kosovës, të mos kenë më nevojë për viza.

Tanja Fajon është më e famshmja femër politikane e Evropës për hapësirat e Ballkanit. Ajo thotë se kjo arritje nuk është meritë vetëm e saj:

- Nuk është vetëm meritë imja. Sllovenia ka lujtur rol shumë të rëndësishëm duke u bërë avokate e fuqishme e liberalizimit të vizave. Nga institucionet evropiane ka qenë vetëm Parlamenti evropian ai që fuqishëm e ka mbrojtë idenë e heqjes së vizave. Dhe aty ishte roli im. Kishte nevojë për shumë energji, konzensus në mes të institucioneve evropiane, sepse kishte shtete e institucione që kundërshtonin liberalizimin kaq të shpejtë të vizave për Ballkanin.

Ajo kishte vënë re se mu në ditën kur në Parlamentin evropian votohej për heqje vizash për shqiptarët dhe boshnjakët, në Tiranë luhej ndeshja e futbollit midis reprezentacioneve të Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës :

- Boshnjakët në stadium erdhën me transparentin e madh me fjalë falënderimi për mua. Pastaj atë parullë nisën ta thërrisnin edhe tifozët shqiptarë në ndeshje.

Kjo i kishte lënë mbresa Tanjes, të mirës e të bukurës së reportazhit tonë të sontëm.


Në Evropë shtetasit e Ballkanit Perëndimor mund të shkojnë e të qëndrojnë më së shumti 90 ditë. Duhet, dihet kjo -domosdo të kenë para. Secili shtet cakton lartësinë e lekëve që duhet të kenë për një ditë qëndrim. Finlandezët kërkojnë më së paku - 30 euro për një ditë, e sllovenët, hehehe ! sllovenët…kërkojnë më së shumti. Duan që vizitori nga Ballkani të ketë në xhep 70 euro për çdo ditë që do ta kalonin në shtetin e tyre të vogël…

Dihet se me këtë vizë nuk mund të kërkohet as punë as lejeqëndrimi më i gjatë.

Brenda një viti qyshse ky regjim vizash ka filluar për Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë, ka pasur disa raportime për keqpërdorim të vizave. Shumë shqiptarë nga shtetet e përmendura kanë kërkuar azil politik apo ekonomik. Shumica e kërkuesve të azilit janë refuzuar janë kthyer kah kanë ardhur. Komisioni evropian ka qortuar shtetet e përmendura, bile edhe i ka paralajmëruar se nëse edhe më tutje do të ketë abuzime, kujdes ! vizat edhe mund të rivendosen… Kështu shtetet bëhen shumë më të vemendshme në vetëdijësimin e qytetarëve të tyre lidhur (edhe) me kufizimet që përfshin liberalizimi.

Procesi për përfitim të vizave ka ndihmuar shtetet, pasiqë ato kanë qenë të detyruara që nëse duan heqje vizash, ato duhet më parë të plotësojnë mbi 170 kushte të ndryshme që kanë të bëjnë me reformat e nevojshme edhe për afrimin e mëtejmë me BE-në. Tanja thotë se heqja e vizave jep simbolikën dhe mesazhin e qartë të lirisë e të barazisë. Kjo iu pëlqen së tepërmi boshnjakëve dhe shqiptarëve. Por e dijmë, këtë po e përsëris : Gjysma e shqiptarëve megjithatë mbeti oaza e vetme dhe e izoluar e Evropës. Tanja thotë :

- Kosovës, fatkeqësisht i duhen edhe nja dy-tri vjet përgatitje për të arritur heqjen e vizave, sepse ajo sapo ka konsoliduar policinë e saj, por, pos tjerash, nuk ka ecë sa duhet përpara në pajisjen e qytetarëve të saj me pasaporta biometrike.

Natyrisht, Tanja dëshiron që Kosovës t’i hiqet sa më parë ky izolim, mes tjerash edhe për një arsye tjetër :

- Shqiptarët e Kosovës, në rast se mbesin edhe më tutje kështu të izoluar, do të nisin të marrin me shumicë dokumente të Shqipërisë, ndërsa serbët e Kosovës do të pajisen me pasaporta serbe. Kjo, sjell shumë probleme për Evropën.

E Evropa, Mentor, ka qejf të ketë sa më pak probleme.
Mbase këtu edhe është uzdaja jonë.
Në dorë tënden, Tanja Fajon! (2)


(1)Mentor Mripa, moderator në emisionin « Mirëmbrëma Kosovë” të Radio Kosovës.
(2) Ky raport u dha për Radio Kosovën në orën 23: 30 të datës 17 janar 2011.



Tanja Fajon në një nga studiot televizive të Tiranës



Tanja Fajon në krah të Bastri Malajt, pronar i barit me mbiemrin e saj.



Bar Fajon

Nuk ka komente:

Posto një koment