e martë, shkurt 22, 2011

Stephane Hesell, plaku që sfidon stuhitë

Për vit të ri ai u fali francezëve esenë, ndërsa unë juve këto përshtypje për një libër të rrallë e krejtësisht të veçantë. Hidhërohuni! "Indignez-vous!". Ese politik i Stephane Hesell-it, ku bëhet thirrje për rebelim. Libri është bërë një mall librar tepër i kërkuar në Francë.

Tregun botues francez e ka befasuar suksesi i kësaj sprove të dalë nga pena e mendja e këtij ish-diplomati 93 vjeçar. Ky libërth që nuk ka më shumë se 30 faqe ka dy muaj qyshse qëndron në top-listën e librave më të shitur e më të lexuar në Francë. Autori me të thërret lexuesit që të mendohen rreth gjendjes në shoqërinë moderne, të shohin rreth vetes dhe të hidhërohen, të indinjohen, pra të çohen në një kryengritje paqësore që do të ringjallë sërish vlerat e asaj që në historinë e Francës quhet Rezistencë dhe që lidhet me Luftën e Dytë Botërore, me Charles de Gaulle-in dhe me rezistencën franceze të udhëhequr nga ky i fundit kundër fashizmit. Është, pra, Stephane Hessel-i ai që me sprovën e tij me pak faqe u bën apel francezëve që ata të rimarrin e të rikthejnë vlerat e harruara të rezistencës franceze, të mos vështrojnë me indiferencë, por të shkunden dhe të shfaqin e ta shprehin hidhërimin e tyre. « Thërras qytetarët, të rinj e të vjetër… të marrin përgjegjësinë e rregullimeve në shoqërinë tonë, e cila, shihet, nuk funksionion… Dëshiroj që secili nga ju të gjejë arsyet vetanake për këtë hidhërim».


Nga libri shoh se pakënaqësia e indinjimi i tij fillon te hendeku në rritje midis të varfërve e të pasurve. Edhe më konkretisht, nga disa sjellje të papranueshme e shtetit francez ndaj :

- emigrantëve ilegalë,

- mungesave në lirinë e shtypit,

- problemeve me pensionet,

- ndaj një sistemi më të mirë social,

- ndaj medies që është vënë në duar të shtetit apo të manjatëve ekonomikë,

- përkarshi problemeve me mbrojtjen e ambientit,

- ndaj qëndrimit të Francës mbi palestinezët që praktikisht jetojnë të mbyllur në një burg izraelit nën qiell të hapur,

- vis-à-vis qëndrimit të çuditshëm të Francës ndaj sjelljeve të shtetit hebre si një shtet me tipare të dukshme tiranike.


Esejisti thërret për një kryengritje paqësore dhe të padhunshme.

Libërthin fillimisht e botuan te një botues i vogël me emrin Indigene që ka selinë në një papafingo, (hapësirë e ngushtë nën kulmin e një shtëpie) në Montpellier (jug i Francës). Fillimisht me një tirazh prej 6000 kopjesh dhe me çmim tre euro, vetëm brenda dy muajsh libri u bë botimi më i dashur në Francë. Për nga numri i ekzemplarëve të shitur, tejkaloi edhe romanin e shpërblyer të Michel Houellebecqe-ut "La Carte et le Territoire" (Harta e Territori) dhe të gjitha botimet tjera të para vitit të ri. Tani libërthi është ribotuar disa herë dhe shitja ka kaluar 1 milion ekzemplarët, ndërkohë që duket e sigurt se ai do të kalojë edhe këtë shifër. Ndërkohë këtë sprovë janë duke e përkthyer në shumë gjuhë evropiane dhe botërore.

Suksesin ei sprovës mund ta sqarojmë me karizmën dhe biografinë shembullore të Stephane Hesell-it. Për të kanë shkruar shumë edhe në shtypin botëror. Njëherit libri u pëlqye edhe për shkakun e një pakënaqësie të përgjithshme karshi dallimeve sociale në rritje përgjatë presidencës së Nicolas Sarkozy-së. Korrespondentja e dikurshme e gazetës Le Monde e cila është edhe bashkëthemeluese e Edicionit Indigene, Sylvie Crossman, ka thënë se libri është bërë hit edhe për shkakun se autori është një luftëtar i vërtetë e jo një intelektual kabineti.

Le ta them se Stephane Hesell ka lindur më 1917 në Berlin. Si shtatëvjeçar është shpërngulur në Francë. Baba i tij, Franz Hessel, çifut, ishte shkrimtar e përkthyes, ndërsa e ëma Helen Grund ishte gjermane, poete, muzikante. Edhe ajo shkrimtare. Gjatë kohës së pushtimit nazist të Francës, Hessell –i më 1941 iu bashkua lëvizjes së rezistencës të gjeneralit de Gaulle (dë Gol) në Londër. Ishte burgosur dhe e kishin deportuar në kampet Buchenwald dhe Dora. Gjatë marrrjes në pyetje i kishte mashtruar oficerët e Gestaposë dhe, përkundër torturave të tmerrshme, duke mos iu folur frengjisht por në gjuhën e tij amtare gjermanisht… Pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë një nga hartuesit e Deklaratës së përgjithshme të të drejtave të njeriut, të cilën Kombet e Bashkuara e shpallën në dhjetor 1948.

Pastaj për Stephane Hessell-in pati një karrierë diplomatike. Konsiderohet ndër sartërit* e fundit, në mos i fundmi. Një njeri që gjithmonë ka marrë anën e disidentëve dhe të shtypurve.

Pas leximit të libërthit "Indignez-vous!", kurreshtja ime leximtare më ka shtyrë të lexoj edhe të tjera gjëra të tij dhe për të. Jam mrekulluar me kapacitetin e tij të lartë moral e intelektual. Është shumë vështirë edhe për njerëzit tepër të fuqishëm që për gati një shekull jetë të jenë në gjendje që jo vetëm ta ruajnë, por edhe ta begatojnë e ta forcojnë ditë për ditë e vit për vit vertikalen e vet morale e njerëzore. Nuk është çudi pse libri i tij aktualisht po përkthehet në gjuhët kryesore të botës. Duket sheshit se ky apel tashmë i famshëm i tij nuk ka rënë në vesh të shurdhër.

« Ceux qui marchent contre le vent », (Ata që ecin kundër erës). Kështu quhet koleksioni brenda të cilit është botuar libërthi "Indignez-vous!". Shprehja është huazuar nga emri i një populli indian në Amerikën e Veriut. Ata që ecin kundër erës !! Stephane Hesell kështu ka ecur tërë jetën e tij. Thirrja e tij është apel që duke u indinjuar për padrejtësitë të shkohet me gjoksin hapur kundruall erërave të rrezikshme që kërcënojnë njerëzimin dhe planetin tonë. Ai duke vënë në dukje problemet e vërteta në shoqërinë franceze, duke vënë në dukje rritjen e pezmatimit, të hidhërimit e të indinjacionit…, duket se edhe nuk do të jetë aq i vetmuar në marshin e preferuar të tij kundër erës.


*Charles de Gaulle, ishte gjeneral brigade dhe burrë i madh i shtetit francez.

**Jean-Paul Sartre ka qenë filozof dhe shkrimtar i famshëm francez.

Nuk ka komente:

Posto një koment