e martë, shkurt 22, 2011

Katrina – rebelja shqiptare e Parisit

Nga Salih KABASHI

CHATHERINE PRELJOCAJ (Katrinë Prelocaj) është shkrimtare. Ka botuar dy libra. I treti nuk do të vonojë. Ajo është një luftëtare. Lufta e saj u bë ndaj dy “armiqsh” të pabesë dhe të egër për shëndetin dhe të lirinë. Në një anë ajo mundi leukeminë dhe kancerin në stomak, në anën tjetër ajo korri një fitore personale mbi Kanunin shqiptar, i cili veçanësisht shprehet i ashpër ndaj femrës shqiptare. Pasi kisha lexuar librat e saj, kurreshtja ime (edhe profesionale) që ta takoja personalisht, ishte e madhe. Kam pasur rast dhe fat të takoj një personalitet shumë të rrallë dhe pothuajse unik në sjelljet, veprimet dhe talentin e saj. Radio Kosova, ku unë pesë vitet e fundit bëj një korrespodenturë, ka edituar javën e fundit intervistën që kam zhvilluar me të. Këtu, pos hyrjes, atë po e jap në trajtën e shkruar. Libri i “Një portokalle s’është e lumtur po u bë kajsi”, tashmë gjendet i përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Në historinë personale të Catherine Preljocaj-t ka vuajtje e dhimbje edhe të shumë e shumë femrave shqiptare jo vetëm në mërgim, por edhe në Atdhe, ku përkundër gjithë zhvillimeve civilizuese e kulturore, Kanuni ende është i gjallë dhe në luftë me modernitetin.

(Të shtunën Katrinën tonë e takova në një mbrëmje artistike. Ajo jipte dedikasat e fundit në librat e saj, piktori shqiptar Artur Muharremi ekspozonte tablotë, ndërsa kompozitori Rezart Jasa shfaqej me muzikën e tij.)

HYRJE
Personazhi i reportazhit tonë ka lindur në Paris, por historia e saj nuk nis aty. Ajo histori duket e parathënë. Fillin e shkrimit ajo histori e ka shumë vite para lindjes së saj. Ndoshta kjo histori ka rrënjët thellë në shekujt. Histori e familjes, e prindërve, gjyshërve, stërgjyshërve të lidhur aq ngushtësisht me traditat e vendit të prejardhjes.

Catherine Prelocaj, pavarësisht se u lind para 50 vjetësh në Paris, janë rrënjët shqiptare të origjinës së saj, që i paracaktuan fatin. Nuk e pati lehtë që atë ta merrte në duart e saj. Duhej kohë e duhej vendosmëri, duhej të kalonte nëpër mundime e sfilitje të paimagjinueshme. Ajo ishte parisiene... Jo ajo ishte shqiptare. Ishte femër dhe bijë shqiptarësh të ardhur drejtpërdrejt nga hyqmi i Kanunit dhe nga zakonet e egra të maleve të Veriut Shqiptar. Ajo tanimë ka dalë nga dy beteja të mundimshme. Pas vetes ka lënë përvojën e rëndë të ballafaqimit me Kanunin si dhe raportet e rënda me prindërit që Kanunin nga shkëmbinjtë e Vermoshit kishin sjellë në metropolin francez. Personazhi real i kësaj historie vuajti gjatë, mbi 30 vjet. Tërë kjo histori e dhimbshme jo vetëm për të po edhe për familjen e saj, tash gjendet brenda kapakëve të dy librave dhe në të tretin që si projekt po konturohet në kokën e saj.

Catherine Preljocaj fillimisht u shfaq në publik me një libër autobiografik. I tëri i rrëfyer në veten e parë. Shkrimtarja më ka shpjeguar atë detajin e pazakontë që e çoi te mendimi për të rrëfyer vetveten, duke thënë se ishte e pazakontë për lexuesit francezë tu tregonte plagën e të qenit femër e lindur nga prindër shqiptarë, një qenie e ndarë më dysh. Të pazakonta ishin metaforat e dy kulturave dhe edukimeve kaq të kundërta, të cilat mund të të luajnë mendësh fare apo të të sëmurin. E pazakontë ishte gjithashtu rruga e përshkuar nga shfaqja e leukemisë dhe tumorit në stomak deri te shërimi mirakuloz prej tyre. Mjekët u kishin thënë prindërve të saj se Catherines nuk i mbeteshin më shumë se gjashtë muaj jetë! Dhe erdhi mrekullia. Prej asaj kohe tashmë kaluan 18 vjet! Ajo asokohe kishte menduar se duhej të tregonte se si ishte sëmurë dhe sidomos se si arriti të shpëtonte nga sëmundja e rëndë. Ajo këtë e bëri duke shkruar veprën e saj të parë, librin autobiografik me titull «Le Bonheur pour une orange n’est pas d’être un abricot » (Një portokalle s’është e lumtur po u bë kajsi), një histori e një familjeje emigrante që në vend të integrimit zgjedh vetëizolimin... Më vonë vjen edhe romani tjetër i saj «La Mort de Caliméro et la naissance de l'aigle» (Vdekja e Kalimeros dhe lindja e shqiponjës).

INTERVISTË

E, PARA PËRSHËNDETJE ZONJA CETHERINE PRELJOCAJ. JU LUTEM TË PREZENTOHENI ME PAK FJALË PËR DËGJUESIT E RADIO KOSOVËS !

Bëj pjesë në Diasporën shqiptare në Francë. Prindërit e mi gjithsesi janë shqiptarë. Baba im është nga Vermoshi, ndërsa nëna nga pjesa shqiptare e Malit të Zi. Vetë jam shkrimtare dhe deri tani kam shkruar dy libra.


JU DERI TANI KENI BOTUAR DY LIBRA, NDËRSA SIÇ MË THATË PARA NJË JAVE I TRETI PO SILLET NËPËR KOKËN TUAJ ? A MUND TË NA THONI DIÇKA LIDHUR ME KËTË ?

Kjo është pak a shumë një sekret. Por unë kam shkruar dy libra për historinë e një femre të re të Diasporës shqiptare. Libri i tretë gjithsesi do të jetë pak më i ndryshëm, por patjetër duke ruajtur mesazhin e njëjtë, sidomos atë pyetje pse në familje nuk ka qarkullim dashurie. Nisja është historia ime personale.

NË LIBRIN TUAJ TË PARË PARA LEXUESIT SHFAQET ME DRAMATIKËN E SAJ TRONDITËSE E ASHTUQUAJTURA LUFTË NDËRMJET ETËRVE E BIJVE NË EMIGRACION PËRGJITHËSISHT DHE NË MËRGATËN SHQIPTARE VEÇANËRISHT. ISHTE E DOMOSDOSHME KJO BETEJË ?

Kujtoj se ishte e paevitueshme nisur nga momenti se si në gjithë diasporat, kur ke lindur në një vend dhe kur ke ardhur nga një vend i huaj, si rasti im, atëherë konflikti është i paevitueshëm në masën kur kemi dy versione shizofrene dhe bicefale: njëri të jesh francez, sepse unë kam lindur në Francë dhe i dyti të provosh të jesh shqiptare e mirë ngaqë prindërit e mi janë shqiptarë. Pra, konflikti ishte i paevitueshëm.


ME LIBRAT TUAJ JU SIKUR KENI KRYER NJË CATHARSIS. POR ÇUDITËRISHT DHE MREKULLISHT LETËRSIA QË KENI PRODHUAR KA SJELLË VLERA TË MIRËFILLTA LETRARE. POR EDHE DIÇKA QË MË DUKET UNIKALE: PËRMES ATIJ CATHARSISI DHE BËRJES LETËRSI NGA NJË PËRJETIM PERONAL JU KENI DALË FITIMTARE MBI NJË SËMUNDJE. MUND TË NA THONI DIÇKA MË SHUMË?

Është e vërtetë se libri është një katarzë. Ju falemnderit për gjetje të vlerave të vërteta letrare në librin tim... Libri që në fillim u ishte destinuar farncezëve që t’u shpjegonte në një anë një sëmundje, një kancer, një kancer në gjak bashkë me një tumor në stomak. Në anë tjetër për të dalë nga një ngujim, çka shqiptarët thonë se nuk është mirë për nderin e tyre... Kështu, dola fitimtare mbi sëmundjen, sepse bëra përpjekjet që të tjerët nuk i bëjnë: të gjej të vërtetën thellë në vetveten time dhe këtë t’ua propozoj të tjerëve. Jo ndoshta si një luftim sa si një le të dalë ku të dalë. Unë dola ngadhnjimtare mbi sëmundjen, jam gjallë dhe nuk vdiqa. Mjekët u kishin thënë të afërmëve të mi se mèe kishin ngelë vetëm edhe gjashtë muaj jetë…


VONË E KENI VIZITUAR VENDIN E TË PARËVE TUAJ. DO TË DOJA TË MË PËRSHKRUANIT EMOCIONET QË MUND TË JU KENË PUSHTUAR ME ATË RAST?

Aiii, po si, kishta shumë emocione, sepse unë isha mësuar ndryshe për 45 vjet me radhë dhe përgjatë atyre 45 vjetëve unë kisha krijuar një përfytyrim mbi Shqipërinë. Ishin pamjet e Televizionit Shqiptar dhe fjalimet e Enver Hoxhës të asaj kohe. Më vonë duke parë edhe Luftën e Kosovës, hapjen e Shqipërisë, mbi atë se çka kishte ndodhur me sistemin e deriatëhershëm... Emocionet nganjëherë ishin qesharake. Kur për herë të parë shkova në Tiranë, hasa një taksist shqiptar, të cilit duke dashur ta falënderoj për shërbimin i thashë: Turrittëndera! Ai më shikoi me habi dhe më pyeti: Nga cili shekull na vini, o zonjë? Emocionuese ishin takimet e mia në Tiranë me intelektualë e me gazetarë, me aparatçikë të vjetër me mustaqe, pastaj vajza që vishen me xhinse njësoj si unë... Më habiste qyteti i Tiranës, por ajo që më ka merzitë shumë ishte udhëtimimi im nga Shkodra për në Vermosh. Ishte muaji prill, rruga ishte e mrekullueshme po shumë e rrezikshme. Pejsazhi ishte tepër i bukur dhe me rrezik. Në një moment unë u ndala, në fakt u ndalëm. Ishim bashkë me gazetarë të Figaro Madame. Rruga më tutje ishte me shumë rrezik. Aty pashë se deri në çfarë shkalle ishte vrazhdësia e jetës së malësorëve shqiptarë. Aty kuptova se si prindërit e mi kanë luftuar kundër kushtesh të tilla si egërsisë së natyrës, bora, rrugët e malet... Në një fshat të vogël u pritëm nga gra shqiptare, të cilat ishin shumë shumë të varfëra, por që na pritën si të kishim qenë farë princeshash. Shkuan shpejt që të kërkojnë kafe te shtëpia fqinje, pastaj na shtruan “bukë e djathë”, shkurt kishim një pritje që nuk njihet në Francë. Po, kishte shumë, shumë emocione.

NË FUND FARE. RADIO KOSOVA TRI HERË KA DHËNË INFORMACIONE DHE KOMENTE MBI AKTIVITETIN TUAJ LETRAR. ÇKA DO T’I THONIT DËGJUESIT TË SAJ? LE TË PËRKUJTOJMË SE EDHE KOSOVA ËSHTË DHEU I TË PARËVE TUAJ...

Unë gjithmonë kam mbështetur Kosovën. Në vitet 1990 e 1991 me Izet Currin dhe me shqiptarë të tjerë në Paris provuam të themelonim një Qendër Kulturore Shqiptare. Më kujtohet se asokohe kemi takuar shumë njerëz me qëllim që ta alarmojmë opinionin publik francez për atë që po ndodhte në Kosovë, ndërsa vetë kam marrë pjesë në aksionet e UNESCO-s për të mbrojtur njëherazi Kosovën dhe gratë në Maqedoni që po përjetonin një ferr, duke ndihmuar ato në blerjen e ushqimeve dhe veshmbathjeve për dimër... Unë kurrë nuk kam bërë dallim midis Kosovës e Shqipërisë. Thoni se Kosova është toka e të parëve të mi, po në të njëjtën kohë edhe Shqipëria është toka e të parëve tanë. Unë nuk bëj asnjë dallim. Ne bartim të njëjtat vlera, ne kemi kulturë të njëjtë, pastaj në veri të Shqipërisë njerëzit flasin si kosovarët. Ne kemi theks të njëjtë -“trashë”, kemi dialekt të njëjtë...

Nuk ka komente:

Posto një koment