e martë, shkurt 22, 2011

PAMFLET

I ligu faqezi


Ai dje kishte mbushë 75 vjet. Ka mbi dy dekada qyshse rregullisht e kam uruar. Në çdo 28 janar. Pranoj se ka shumë vite që këtë e bëja vetëm nga një mirësjellje e çuditshme, e tepruar dhe gjithësesi pa bindjen e mëparshme shumvjeçare se po uroja njeriun e shquar dhe personalitetin e ndershëm. Pranoj se viteve të fundit këtë e bëja, siç thuhet, sa për adet.

Nga Salih Kabashi

Tash, tepër vonë, shoh se ai nuk meritonte impulset e shpenzuar të telefonave të mi. Kurrësesi as fjalët e mia të zgjedhura. Dhe as harenë që gjithmonë doja t’i përcillja… Bile as bojën me të cilën dëmtoja një faqe të agjendës sime.

Ta uroja edhe sivjet ?

Jo. Mirësjellja ime ndaj tij me djeshen mori fund. Ndoshta më 21 janar. Kjo prerje e ky vendim, pranoj, do të duhej të kishte ardhur shumë më herët. Sepse ai, në esencë, te ne në Kosovë e në Diasporë, erdhi sa me talentin e tij prej shkrimtari, shumëfish më tepër si trademark promocioni e propagande e shtetit komunist.

Edhe më herët isha me dilemat e mia që lidheshin me deklaratat e tij majtas-djathtas, lart-poshtë të periudhës pas rënies së komunizmit. Pata krijuar përshtypjen se vuante nga një mani e trishtshme që t’u nxirrte sytë të gjithë atyre që mendonin ndryshe nga ai. Ai,zanatin bizantin të nxerrjes së syve kundërshtarëve të tij përpiqet ta bëjë edhe tash. Sa vetë aq edhe me disa që këtë bizantinizëm e cardushanizëm të tij e kanë në begeni...

Nga ’90 e këndej, i ligu i titullit i pat dhënë vetes një detyrë tepër pretencioze. Patjetër se edhe qesharake: Donte me çdo kusht që të njihej me status nacional si profeti i ri i shqiptarëve! Me këtë dalldi të tij, padyshim i shkaktoi dëme, në disa raste edhe të pariparueshme tranzicionit shqiptar.

Ai pati një shkëputje vetëm deklarative nga Enver Hoxha. Vepra e tij letrare, dihet, është e pandashme me publicistikën enveriane. Ky do të donte ta fshihte këte fakt. Por atë megjithatë nuk e mbulon dot as retushi më i stërholluar nga mjeshtër të shkollave staliniane-hitleriane. Nejse. Pas asaj prerjeje të rreme ai u vu në ngarendje të ethshme për të gjetur hijen e lisit tjetër të madh ku do të vazhdonte mrizin dhe do do të gëzonte privilegjet e turpshme e të pafundshme…

Pasi fillimisht i ishte vardisur të birit të Mbretit duke e menduar Leka Zogun në fronin e Ramiz Alisë, ai dalëngadalë pa se aty nuk dilte hesapi, kështuqë duke lypë edhe gjeti atë që do t’i hynte në punë më së miri. Të çmendurin e maleve tona.

Prej atij çasti personazhi i këtij pamfleti mund të konsiderohet si shkrimtari më i korruptur i Evropës. Nuk ka në jetën letrare, kulturore e intelektuale në kontinetin e vjetër as edhe një shkrimtar të vetëm që me regjimin mund të ketë pasur apo që hala ka të vendosura marrëdhënie kaq të turpshme, kaq koprruptuese e kaq antidemokratike. Kështu, ky i lig faqezi edhe një herë u afrua, tundi bishtin e tij dhe u vu në shërbim dhe praktikisht edhe u bë pjesë e FAMILJES së të ÇMENDURIT TË MALEVE TONA. Ky burrë tepër i lig vazhdoi të bënte, tash me një nxitim edhe më të madh, atë që kishte bërë gjithë jetën e tij: për interesat e tij të shkelte gjithë principet morale me të cilat stolisen letrarët e intelektualët e shquar si dhe mendjet e ndritura dhe të dalluara. Shpërblyer nga i Çmenduri i Fronit me gjithçka që mund ta imagjinosh, po edhe me gjëra e privilegje që mendja nuk do t’i përthekonte kurrë, ky ASBURRËASGRUA, edhe njëherë, për faqen e zezë të tij i qëndroi pranë, e shërbeu e po e mbështet edhe tash, në pleqëri, Kasapin&Hajdutin e Çmendur të Maleve.

Ky njeri i keq, ky i lig apo ky ASBURRËASGRUA, do të përflitet në historinë tonë e të Evropës si ekzemplari më i rrallë, ndoshta edhe i pakundshoq, më unikat e më i flliqtë, që një diktature i kishte bërë hyzmetin deri në shkallmimin e saj, ndërsa ngritjen e tjetrës e kishte ndihmuar me krejt takatin jo të paktë të tij mendor destruktiv.

Ky Asburrëasgrua, kjo nuk do t’i harrohet kurrë, ishte argati çmendurisht më i përkushtuar degdisjeve të dhimbshme nacionale nga Diktatura në Diktaturë&Hajdutëri. Ky arkitekt e inxhinier i shpirtërave çnjerëzorë, ishte benzinësjellësi permanent i zjarrvënësit të çmendur të Shqipërisë së shkretë.

Ky asburrëasgrua e ky racist e profashist i rrallë shqiptar ka fyer sa herë edhe Kosovën tonë me burrat e gratë e saj të vuajtura.

Këtë mashkull të lig, tash, kur ka futur veshtë në lesh dhe kur ka mbushur pantollonet njësoj si vëllai i tij i çmendur, të cilit po i shembet edhe kjo piramidë pushtetore, po e uroj me një:

Paç atë me të cilën ke zgjedhur ta shëmtosh veten. Paç faqen tënde të zezë!

PS
Nuk përmenda as emrin e të ligut faqezi as atë të të çmendurit të maleve, pasiqë kjo do të me shtronte domosdonë që para emrave të tyre të shtoja edhe me nderë me thanë... Me kaq i kurseva. Kësaj radhe.

Nuk ka komente:

Posto një koment