e martë, shkurt 22, 2011

Dimrit kur nuk të merr gjumi


Pse të lexohen dy autorë që imitojnë njëri-tjetrin

Ç’prejse kam kryer të paren klasë të fillores e deri sot mund të them se kam lexuar kogja shumë dhe nuk kam kënduar libra vetëm atëherë kur janë krijuar kushte kur leximi bëhej i pamundshëm, në rastet më të shpeshta kur mosleximin e kisha dënim nga ndonjë instancë dhe fuqi tjetër e kohës kur më kishte ra shorti të jetoja. Një kohë të gjatë të jetës sime prej lexuesi të pandalshëm e mund të them edhe pasionant, kam pasur autorët e mi të preferuar. Bile kam pasur disa shkrimtarë, të cilëve nuk ua kam lënë pa lexuar të gjitha veprat, apo edhe më saktësisht, atyre nuk ua kisha lënë pa lexuar as edhe një shkronjë të vetme. Këta autorë e shkrimtarë të dalluar ishin dy gjirokastritë (Enver Hoxha e Ismail Kadare), një devollit (Dritëro Agolli) dhe një vuthjan (Rexhep Qosja). Edhe tash lexoj çdo gjë të Dritëroit dhe të Qosjes. Enverin e Kadarenë, nuk i lexoj më ? Jo. Nuk i lexoj për arsye të ndryshme. Të parin se ka vdekur dhe të vdekurit, siç dihet, nuk shkruajnë më, ndërkohë i dyti ka mbi 20 vjet qyshse nuk bën më letërsi… Por është edhe një arsye tjetër pse nuk e lexoj Kadarenë : Ismail Kadareja ka bërë literaturë vetëm sa e ka pasur gjallë, shëndosh e mirë e në pushtet bashkëvendësin e tij të dashur e të nderuar, shokun Enver…

Tash kam dalë me hesapin se njërin nga gjirokastritët e përmendur e kam lexuar pa qenë e nevojshme, apo siç thuhet kot së koti, pasiqë ka mjaftuar ta lexoj vetëm Enverin, apo vetëm Ismailin dhe kjo do të ishte krejtësisht njësoj dhe tërësisht e mjaftueshme sikur t’i kisha lexuar që të dy. Tash, e qartë, është vonë që të riparoj çkadoqoftë nga bjerrakohësia që më kishte goditur. Nuk mund të çlexosh atë që ke lexuar. Nuk është si puna e shkrimit. Shkrimin e tënd të dikurshëm, mund ta shpallësh të tjetërkujt, tekstin e shkruar mund ta plotësosh, ta korrigjosh, ta redaktosh dhe ta ndrrosh e shpërndrrosh qysh ta do qejfi e sa ta lejon morali. Kadareja e shfrytëzon këtë mundësi teknike e nganjëherë jomorale veçmas me rastin e ribotimit të veprave të tij…

Sado që kam lexuar bukur shumë, duket se leximi nuk ka shtuar shumë, apo ka shtuar vetëm pak e ndoshta edhe aspak mençurinë time, sepse po të më kishte bërë vetëm pak mendalok, nuk do të më kishte shpëtuar pa veneruar se një kohë të gjatë Enver Hoxha dhe Ismail Kadareja ose kanë shkruar paralelisht e në marrëveshje rreth të njëjtës tematikë, ose i dyti me të dalë një vepër e shokut Enver, menjëherë i koptisej shkrimit të ekuivalentit letrar të veprës së tij politiko-propagandistike.

Nuk mund të them ndryshe, pos se një kohë të gjatë isha lexues i tij. I këtij Ismailit, i cili për këto 20 vjetët e fundit ka gënjyer tri herë më shumë se Enveri me krejt Byronë Politike dhe Komitetin Qendror të PPSH-së përgjatë dyzetë vjetëve të sundimit të tij.

Çka të them tjetër, pos, të nem veten siç nemej këtynehere te ne: « Më voftë për budallak… »


Nuk ka komente:

Posto një koment