e martë, shkurt 22, 2011

Buzhiqet


Me kalimin e viteve njeriut po nisnin t’i rikthehen e t’i rikujtohen disa fjalë e disa shprehje të cilat në fëmijërinë e në rininë e tij kanë qenë pjesë e të folmes së përditshme. Edhe me mua po ngjan e njëjta gjë. Ato fjalë e ato shprehje tani sikur shpërthejnë atë betonin e trashë e të rëndë të kohës së kaluar dhe të atyre mbingarkesave që ua kanë vendosur prurjet e reja që sjell jo vetëm zhvillimi i gjuhës shqipe, por edhe ardhjet e gjuhëve të huaja bashkë me gjithë ndikimet e tyre të fuqishme në gramatikën, në sintaksën e në fjalorin e gjuhës sonë. Nuk dua të merrem me këto zhvillime, sepse as nuk ndjehem mjaft i zoti sa t’u futem mjaft thellë këtyre fenomeneve.

Këto ditë morisë së fjalëve shprehjeve të fjetura thellë në veten teme, doli dhe iu bashkua fjala BUZHIQ apo Buzhiqe.

Buzhiqi, tash mund të bëj një formulim, ka qenë më pak se një festë. Ka qenë një shenjë në kohë, ka qenë një datë e papërcaktuar, e cila kohësisht ishte e përafërt me periudhën pas Senes së Re (Vitin e Ri).

Buzhiqi deri më 1960 është shënuar rregullisht edhe në familjen time. Si e kam mbajtur mend? Buzhiqi shënohej me një darkë pak më të begatshme, zakonisht me mish e lakra. Por diçka që ishte e veçanta dhe e domosdoshmja e asaj darke, në fakt asaj mbasdarke, ishin: kollomoçët tromakë të zier (misër), mollët, dardhat dimërore, ftonjtë, arrat, lajthitë, kungujt e zier dhe misirët (lloj kungulli ndoshta pse ka ardhur nga Egjipti), qeshkeku (grurë i zier, hashure), rasoji (lëng lakrash turshi)… E veçanta e kësaj mbrëmjeje, kaq, jo më shumë zgjaste Buzhiqi ynë, pra, karakteristika e kësaj darke ndjehej në ngarendjet e pëpëlitjet pak më intensive të baçicës (Nana Zylë, gruaja e axhës Selim) dhe të magjetores (nëna ime Fatimja)… Gjyshja e Madhe ulur në një stol nuk bënte gjë tjetër pos ato që bënte gjithmonë: tjerrte leshin nga furka në shtizë dhe sa herë dikush apo vetë ajo përmendte fjalën Zot ose Allah, lëvizte nga vendi dhe thoshte bashkë me të tjerët “Atij i kofshim falë !”. Ndonjëherë u fliste të rejave që t'i ruajnë fëmijët nga zjarri dhe uji i valë.

Hahej darka, asnjë lutje e veçantë, pos në fillim Bismilahit të domosdoshëm, e pas darkësElhamdulilahit të përhershëm, si dhe formulës « shtoje o Zot », duke prekur cepin e sofrës… Pastaj merrej nga ato që ishin për mbasdarke...

Në fund burrat, pas kësaj darke e pasdarke të përbashkët me krejt robtë e shtëpisë, riktheheshin në sobë të burrave, sepse, pos tjerash, vinte koha me e falë jacinë…

Fëmijëve na çonin me zor a me hatër në gjumë… Ndërsa gratë, nënat tona deri vonë dëgjoheshin kah lanin enët dhe sinitë (sofrat), mbulonin gacat e zjarrit me hi, sepse për zjarrin e nesërm votrës sonë i duhej prushi i djeshëm…

Të nesërmën nga Buzhiqi nuk mbetej asnjë kujtim tjetër pos ndonjë kallamoçi të zier apo ndonjë cope kungulli të pjekur.

Buzhiqi konsiderohej “kulmi i dimnit”, le të them edhe këtu se çdo dimër kishte“t’himit e dimrit” dhe "t'dalnit e dimnit” që pasohej, “martit” (në fillim të muajit mars) - me “synin e pranverës” …

Buzhiqi në familjen e fqinjësinë tonë tërësisht muslimane, sa kam mbajtë mend dhe për aq sa më vjen ndërmend tash prej asaj kohe të fëmijërisë, nuk kishte ndonjë kuptim religjioz, pos një dëshire të nënkuptuar për “me na e shtu Zoti bereqetin”.

Shikuar nga kjo distance kohe unë më shumë do të thoja se “buzhiqi" apo "buzhiqet” ishin ndonjë relik pagan. Nuk e kundërshtoj as qenien e shqiptarëve të dikurshëm edhe në besimin e krishterë ortodoks dhe, sidomos nuk dua ta lëshoj rastin që posaçërisht ortodoksëve shqiptarë, po edhe të tjerëve ortodoksë, në këtë ditë të shenjtë për ta, t’i uroj për Kërshëndellat apo Bozhiqin, të cilin e shoh kaq të ndryshëm apo krejt tjetër nga “buzhiqi” “im” i dikurshëm …

Nuk ka komente:

Posto një koment