e martë, shkurt 22, 2011

Rabe Bekja, mësuesja dhe nëna e madhe shqiptare e Rugovës dhe e tërë Kosovës


Homazh për shoqen e miken tonë të paharruar Rabe Lajçi
Nga Salih KABASHI
Sonte për dëgjuesit tanë dua të flas për njeriun për të cilin shkurtas kam folur nja dy herë të tjera 10 muajve të fundit. Ajo për të cilën do të flas ishte një nënë, ishte një amvise, një blegtore, një bletare, tregtare dhe një arsimtare. Edhe më shumë se kaq ajo ishte një nënë e rrallë e cila e ndjente jo për fatkeqësi po për fat që kishte pasur djalë që i ra për lirinë e Atdheut. Biri i saj tashmë është fgurë historike dhe personazh poezish dhe këngësh që u kushtohen më të mirëve të kësaj toke-martirëve të saj, dëshmorëve dhe heronjve të lirisë. Brenda gati dhjetë vitesh ajo verë për verë, bashkë me të shoqin dhe familjen, me miq e dashamirës nga Kosova e më gjerë janë ngjitur lart në kreshtat e Rugovës për t’i bërë homazh trimit të kësaj krahine kaq heroike të Kosovës e të Shqipërisë sonë. Fjalën e kam për Rabe Lajqin, shoqen time të shkollës e të studimeve nga gjenerata e famshme e 68-shes së Normales Ali Kelmendi të Pejës.

Raba më nuk është në këtë botë. Ajo vdiq papritmas para më pak se një muaji. Vdiq duke punuar dhe thuhet se ata që vdesin në punë janë të njëjtë me ata që bijnë në luftë. Unë nuk dija për vdekjen e saj. Të hënën që iku kisha vendosur që ta takoja dhe u nisa drejt boutique-t të saj. Me mendjen time po përgatisja fjalët me të cilat do ta nisja bisedën pas përshëndetjes së zakonshme. Ajo gjithmonë u gëzohej takimeve me shoqet e shokët, duke u shfaqur para tyre me nurin e saj të stolisur nga një e qeshur e këndshme e të pazëshme. Askush nga dyqani i saj që kishte një tavolinë të vockël, nuk mund të dilte pa kafen që ua përgatiste vetë. Sa herë kam shkuar aty, kam gjetur njerëz të shquar ne atdhetarizmin e tyre, gjeja veteranë e veterane arsimi dhe dyqanin e saj më së shumti e frekuentonin bashkëluftëtarë të të birit të saj - Besnikut nga lufta e lavdishme të UÇK-së. Nganjëherë takoja edhe Musanë, bashkëshortin e saj, njërin ndër veteranët e dalluar të arsimit në Pejë, edhe ai si Raba profesor i gjuhës dhe letërsisë shqiptare.

Dhe çka ndodhi kur unë po i afrohesha dyqanit të saj? Në fillim vura re se dera ishte e mbyllur me grila. Tek po afrohesha, zu të më shafqej një afishe që kishte përmasat e atyre që lajmërojnë për vdekjen. Në fund trishtimi. Ishte emri i saj. Ajo ishte varrosur më 21 korrik. Nuk u besoja syve. Dy dyqanxhinj të tjerë, burrë e grua, që më panë të tronditur dhe të shokuar, më shpjeguan rrethanat e vdekjes dhe thanë fjalët e rralla të respektit ndaj saj. Unë atë pasdite isha më i pikëlluari në botë. O Perendi, kur e kujtoj se me sa hare isha nisur ta takoja.... Dhe pastaj erdhi shtangia, ankthi, trishtimi e dhimbja. Dhe ngarendja si i shushatur rrugicave të Pejës...

Por, u dashka gjetur forcën sepse në këtë mënyrë, siç dihet, ndihmohet shpirti i saj, i cili me siguri do të gjejë prehjen në xhenetin e përjetshëm.

Gjëja e parë që duhej bërë ishte shkuarja për ngushllim. Ku janë lajçët? Në shtëpinë në fshat, në banesën që nuk dija se ku e kishin në Pejë, apo ishin ngjitur lart në Rugovë nga edhe i kanë rrënjët. Nuk gjendesha dot. Vendosa ta thërras mikun tim e të Rabes, Osman Shalën, mësues në Drelaj. Osmani e unë këmbyem ngushllimet për vdekjen e shoqes sonë. Dhe vendosëm që të nesërmën t’i vizitonim familjarët, me të cilët Osmani do të vinte kontakt.

Raba dukej se kishte gjithmonë projekte në dorë. Ajo nuk ishte kurrë pa angazhim. Me dhjetëra herë kemi biseduar me shokë të gjeneratës për energjitë e jashtëzakonshme të saj. Dhe pyesnim me habi : Po, si arrinte që t’u dilte për ballë gjithë atyre punëve, me të cilat është e vështirë të ballafaqohet edhe një burrë tejet i fuqishëm.

Me vite, sidomos pas çlirimit të Kosovës, Rabe Lajqi kishte marrë edhe disa tipare krejtësisht të reja, të cilat unë i shihja si jehona të kohëve të kaluara dhe heroike të popullit tonë të lashtë. Raba ishte e pranishme në të githa aktivitetet për nder të të rënëve të luftës së fundit, në përvjetorë të shumë të figurave të hershme historike të Pejës e Rugovës, të Dukagjinit e të Kosovës. Atje ajo afishohej me oratorinë e saj të mrekullueshme plot kolorit poetik, plot patos heroik dhe njësoj si heroinat e legjendave shqiptare magjepste të pranishmit. Kur këta te fundit mbushnin sytë me lotë, para tyre shfaqej akti i dytë i dramës. Rabe Lajqi fillonte këngën. Nganjëherë ndonjë strofë nga poezia jonë epike popullore, e nganjëherë edhe këngë të shkruara nga vetë ajo. Por në shumë raste ajo si rapsodët gjenialë të antikës greke, aty për aty krijonte vargje me fuqi të rrallë mobilizuese duke shkaktuar pshërëtima të fuqishme tek të pranishmit.

Ky raport-homazh nuk mund të jetë ndonjë këngë vajtojsish. Do të na hidhërohej Raba. Ditën kur shkuam për kryeshëndosh unë e miku im Osman Shala, zbuluam edhe kryeveprën e saj kryesore që ka mbetur të krenohet me të ëmën. Aty takuam Musanë stoik, takuam të birin Fatosin, juristin e ambientalistin e vyer, gjetëm aty Beatriçen, arkitekten e cila kishte kryer masterin në SHBA dhe takuam atë që i ngjante aq shumë të ëmës, atë me të cilën krenoheshin të gjithë, studenten e letërsisë, Serafinën, apo Sarën. Në pritje kishte ardhur edhe i vëllai i Rabës, profesori dhe doktori i shkencave teknike Naser Lajçi.

Familjarët më treguan librin e ngushllimeve. Atje pamë fjalët e dhimbjes e të krenarisë për Rabe Lajqin, të shkruara nga pjesëtarë të Karvanit të Shkrimtarëve, të intelektualëve pejanë e rugovas, të njërëzve nga anë e anës. Dhe çfarë kishin thënë strellcjanët, të cilëve Rabe Bekja, siç e quanin rugovasit sipas zakonit të vjetër, me dekada ua kishte mësuar djemtë vajzat? Vendi për kryeshëndosh do të duhej t’i ishte dhënë Strellcit! Burrat e Strellcit kanë të drejtë, siç kanë të drejtë edhe shumë të tjere që të ndjehen të goditur sa edhe familja me humbjen e saj. Mentor i dashur* edhe Radio Kosova pati humbje. Raba dhe lajçët janë miqtë e radios sonë, përmes së cilës ne po i bëjmë nderimin kësaj figure të rrallë e iluministe shqiptare, e cila tani prehet përkrah birit të saj, trimit të Rugovës e të mbarë Shqiptarisë dhe nga atje sikur të dy bashkë i bëjnë roje lirisë së Rugovës, Kosovës dhe Atdheut anembanë.
E hënë, 17 gusht 2009 23:05

*Reportazhi është bërë për emisionin “Mirë mbrëma Kosovë” që udhëhiqet nga moderatori Mentor Mripa.
Rabe Lajçi

Nuk ka komente:

Posto një koment